Kryeministri i Letonisë, Krišjānis Kariņš, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur paraditen e sotme, ku nga shpërthimi i një mine humbi jetën efektivja e Forcave të Armatosura, Zarife Hasanaj, dhe u plagosën dy efektivët e tjerë, major Klodian Tanushi dhe rreshter Julian Kapaj. Kreu i qeverisë letoneze ka shprehur ngushëllime për ngjarjen tragjike, duke e cilësuar ditën e sotme të trishtë për të gjithë.

“Një ditë e trishtuar për të gjithë ne për shkak të aksidentit tragjik në bazën ushtarake Adazi. Ngushëllimet e mia për familjen e një anëtari të Forcave të Armatosura Shqiptare, që humbi jetën.
Uroj një shërim të shpejtë të ushtarëve të tjerë të lënduar. Letonia është mirënjohëse për Shqipërinë për kontributin e saj në misionin NATO”, shkruan kryeministri letonez.

Efektivët shqiptarë ishin pjesë e misionit të NATO-s për demontimin e minave. Gjatë misionit në Letoni, efektivja Hasanaj humbi jetën, teksa po çmontonte një minë, ndërsa u plagosën majori dhe rreshteri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb