Kryeministri libanez, Najib Mikati, ka dënuar deklaratat e fundit iraniane në lidhje me gatishmërinë e Teheranit për të negociuar me Francën për zbatimin e Rezolutës 1701 të OKB-së, duke i karakterizuar komentet si një ndërhyrje e pajustifikuar në çështjet libaneze, transmeton Anadolu.
Deklaratat e kryeministrit Mikati vijnë pas komenteve nga kryeparlamentari iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, i cili tha se Irani është i gatshëm të angazhohet në negociatat në lidhje me rezolutën.
“Jemi të befasuar nga ky pozicion, i cili përfaqëson një ndërhyrje të hapur në çështjet libaneze dhe një përpjekje për të vendosur mbikëqyrje të papranueshme mbi Libanin”, tha Mikati.
Kryeministri libanez tha se gjatë vizitave të fundit të ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi dhe kryeparlamentarit Ghalibaf në Liban, ai theksoi nevojën për të kuptuar situatën e Libanit, veçanërisht duke marrë parasysh agresionin e paprecedentë izraelit kundër vendit.
Mikati pohoi se “negociatat në lidhje me zbatimin e Rezolutës 1701 të OKB-së janë një çështje që duhet ta trajtojë shteti libanez”.
“Mbështetja për këtë drejtim është thelbësore, në vend që të kërkohet të imponohet një mbikëqyrje e re, e pranueshme e bazuar në konsiderata kombëtare dhe sovrane”, shtoi ai.
Mbrëmë, në një intervistë me gazetën franceze ‘Le Figaro’, Ghalibaf tha se besojnë se “Irani do të ishte i përgatitur për të negociuar në mënyrë efektive në lidhje me zbatimin e Rezolutës 1701 me Francën duke vepruar si një ndërmjetës midis Hezbollahut dhe Izraelit”.
Pas këtyre zhvillimeve, Mikati udhëzoi ministrin e Punëve të Jashtme, Abdullah Bou Habib, që të thërret të ngarkuarin me punë të Iranit, Tawfik Samadi, për të informuar në lidhje me deklaratat e kryeparlamentarit Ghalibaf dhe për t’i përcjellë qëndrimin e qeverisë libaneze për këtë çështje.
Rezoluta 1701 e OKB-së, e miratuar unanimisht nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 11 gusht të vitit 2006, bën thirrje për një ndërprerje të plotë të armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit, si dhe për krijimin e një zone pa personel të armatosur dhe pajisje ushtarake, me përjashtim të atyre që i përkasin ushtrisë libaneze dhe forcave paqeruajtëse të OKB-së (UNIFIL).