Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë për gazetën beogradase “Blic” ka folur për iniciativën e presidentit Aleksandar Vuçiç për Kosovën dhe skenarin më të mirë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës; (pa)mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë; raportet mes Shqipërisë dhe Serbisë, si dhe për basketbollin dhe artin.

“Iniciativa e Aleksandar Vuçicit për ta nisur dialogun e brendshëm serb për Kosovën është një akt i lidershipit me të cilin ai e shpalosi një vizion kurajoz për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë. Kam respekt për iniciativën e tij që të ballafaqohet me të kaluarën në mënyrë frontale dhe jokonvencionale”, ka thënë Edi Rama, në intervistën e titulluar “E ndjej dhembjen dhe vendosmërinë e Vuçiçit për ta zgjidhur problemin e Kosovës”, që botohet nesër në gazetën “Blic”, transmeton Klan Kosova.

Edi-Rama-Blic

Në pyetjen e gazetës se cila është zgjidhja e problemit të Kosovës, Rama përgjigjet: “Njohja e plotë e Republikës së Kosovës nga Serbia! Por, e di se kjo është më lehtë të thuhet sesa të bëhet kur e vendosi veten në këpucët e Aleksandrit. Prandaj, aktualisht zgjidhja është që të punojmë fuqishëm së bashku”.
Idenë e Ivica Daçiç për ndarjen e Kosovës Rama e konsideron si një “propozim jokonvencional”, ashtu siç është edhe bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, ose bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Qasjet e këtilla mund t’i diskreditojnë edhe qëllimet më të mira”. “Zhurma rreth deklaratës për ‘bashkimin e Shqipërisë me Kosovën’ ishte një konkluzion trivial, e jo një plan, kërcënim apo dëshirë. Por, nëse mbyllet horizonti i integrimit të rajonit tonë në BE nuk është e vështirë të parashikohet rizgjimi i fantazmave nga e kaluara”, tha ai.

“Raportet e tashme mes Serbisë dhe Shqipërisë janë më të mira sesa që kanë qenë ndonjëherë”.
Gazeta e ka pyetur Ramën edhe për kohën kur ishte basketbollist, por ai përgjigjet në mënyrë diplomatike: “Nuk mund të jem aq kurajoz sa të them se kam qenë basketbollist derisa flas me një gazetar që vjen nga vendi i basketbollit. E kam dashur basketbollin si pjesë të rinisë sime. E dua artin si pjesë të dëshirave të mia. E dua politikën si pjesë të qenies sime”, ka thënë ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: