Shkollat e mesme profesionale, po përzgjidhen gjithnjë e më shumë nga të rinjtë, të cilët mund të orientojnë talentin e tyre drejt një profesioni, që në të ardhmen, i ofron mundësi punësimi, në një treg pune me kërkesë të vazhdueshme për punonjës të kualifikuar.

Shkolla Profesionale “Beqir Çela” në Durrës është kthyer në një Kampus të arsimit profesional në vend që ofron mjedise dhe kushte bashkëkohore për arsimimin e nxënësve me standarde dhe cilësi të lartë, akredituar në pesë drejtime të ndryshme; Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Elektroteknikë, Termohidraulikë, Mekanikë, 2 drejtime mësimore pas të mesme, dhe po zgjerohet me konviktet e reja të akomodimit me një kapacitet për afro 200 nxënës.

Në vijim të takimeve dedikuar arsimit dhe vitit të ri shkollor, Kryeministri Edi Rama, ishte sot në shkollën profesionale “Beqir Çela”, – ku këtë vit numri i të regjistruarve ka arritur në 1 mijë e 200 nxënës në total dhe ku 400 janë vetëm regjistrime të reja, +20% më shumë se një vit më parë, – së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhe.

“Keni bërë shumë mirë që keni ardhur këtu edhe të mësoni sa më mirë  se do e shihni që sa të dilni, do gjeni punë, e do gjeni punë të paguar mirë.”- inkurajoi kryeministri Rama nxënësit, teksa vijoi një bashkëbisedim të zgjeruar me stafin e mësuesve mbi rëndësinë që po merr çdo ditë e më shumë arsimi dhe formimi profesional i të rinjve.

“Këtu nuk është çështje vizionarësh për hir të së vërtetës, këtu është çështje e një domosdoshmërie të jashtëzakonshme që ne e kemi kuptuar jo se jemi vizionarë, por s’e kemi parë si ecën të tjerët, kemi parë edhe se si zgjerimi hap pas hapi i ekonomisë edhe rritja ekonomike, rritja e investimeve private, do të çonin hap pas hapi në situatën kur do të kërkohej cilësi, jo sasi, për shumë vende pune dhe sot shembulli më dramatik është turizmi, por kudo mund të të thuhet e njëjta gjë.

Ne kemi një kërkesë që është eksponencialisht më e lartë dhe kemi një sipërmarrje në turizëm që duhet me patjetër, jo vetëm të ketë punonjës, po t’ i ketë të kualifikuar se nuk ecet më dot edhe po të duan të ecin ashtu, symbyllur, që kur ua thoshim para 10 vjetësh, para 7 vjetësh, edhe para 5 vjetësh, iu dukej sikur u flisnim në një gjuhë që nuk e kuptonin, por tani duhet që o kamerieri të dijë të sillet e të buzëqeshë; o recepsionisti të dijë të bëjë punën shpejt; o tjetri e tjetri të dijë t’i trajtojë klientët si arsyen kryesore pse janë aty ose pastaj, ata turistë që vijnë nga kjo tërheqja e fortë dhe hyn tek dera e një sipërmarrje e tillë që nuk i ka këto kushte të trajtimit të personave, nuk kthehen  më aty, nuk diskutohet dhe kjo është kudo kështu. Në këtë aspekt po na ndihmon tani, si të thuash, edhe presioni i tregut, edhe presioni i rritjes ekonomike qe ta kemi më të lehtë me sipërmarrësit. Besoj edhe ju e keni vënë re që sipërmarrësit e rinj janë më të interesuar që të komunikojnë me ju e të thonë ‘’më duhet kështu e më duhet ashtu, si t’ia bëj’’ sesa para 5 vjetësh.” – tha kryeministri Rama.

“Kemi një masë të madhe të rinjsh, të cilët ne duhet t’i nxjerrim, t’i aftësojmë dhe t’i bëjmë gati për këtë treg që është shumë më cilësor, më i mirë paguar. Shumë vetë nuk e dinë, s’janë koshient për këtë gjë dhe rrinë në punë të keqpaguara, duke gjetur një lloj rehatie dhe komoditeti në to dhe që ne duhet ti nxjerrim” – u shpreh lidhur me këtë aspekt Ministri Gonxhe.

Ndër të tjera, Kryeministri Rama vuri theksin edhe tek marrëdhënia e ndërtuar mes shkollës dhe sipërmarrjes, për një trajtim dinjitoz të nxënësve, të cilët duhet të përfitojnë sa më shumë nga praktikat në terren.

“Ndërkohë, tani sfida tjetër që kemi ne është sistemi dual që duhet ngritur edhe në një shkallë tjetër marrëdhënia me sipërmarrësit, se duhet filluar të orientohen në kuptimin thelbësor që ka sistemi dual. Ai edhe në punë duhet të jetë nxënës. Pra, duhet t’i krijohen të gjitha kushtet si nxënës, jo “o çuni hajde se.. shko e kape mbush ujin” ndërkohë që e ke marrë për IT për shembull.” – u shpreh Kryeministri.

Ndër të tjera, në bashkëbisedimin me mësuesit, kryeministri Rama tha se:  “Ne duhet të hapim më shumë vende,  duhet të zgjerojmë më shumë numrin e shkollave, duhet të shohim edhe shkolla, të cilat funksionojnë sot në gjithë sistemin e arsimit të përgjithshëm që të dualizohen brenda për brenda, por një pjesë e shkollës mund të jetë e përgjithshme , një pjesë mund të jetë profesionale ose komplet profesionale,  por kjo është po ashtu edhe mundësia tani, se është shembull konkret, se nuk është me llafe siç e thoshim përpara dhe s’besonte njeri që të përsëritet tek prindërit, të përsëritet tek nxënësit, të përsëritet tek të gjithë që të shkosh në arsim profesional, nuk është si të shkosh në kategorinë e dytë. Sepse e para edhe në arsimin profesional, po të duash ti, mund të shkosh në universitet për çdo degë që ti do, ndryshe nga ai që bën arsimin e përgjithshëm dhe shkon në universitet dhe pastaj në fund fare pretendon një gjë të madhe, por i ngelet diploma në dorë. Ti që ke bërë arsimin profesional në të gjitha rastet ke zanat dhe me atë zanat, ti, jo vetëm që punon gjatë kohës që kryen studimet, por ti fiton të gjitha ato shqisat e nevojshme për të bërë edhe sipërmarrjen tënde, jo thjeshtë për të shkuar e për të punuar tek të tjerët, po të bësh sipërmarrjen tënde të vogël të shërbimit; elektroauto, hidraulik, elektricist, IT, etj etj dhe pa diskutim që ky është arsimi i të nesërmes për shumicën. Për atë pjesë pastaj që synon botën akademike etj, normal që është universiteti, por për shumicën ky është arsimi i së nesërmes dhe arsimi që të jep punë të mirëpaguar sot, sepse sot të gjitha ata që kanë zanate, shkojnë tek sipërmarrja edhe vendosin pagën pa diskutim më lart se ç’ thotë ai do t’ia japë, dhe ia japin. Dhe tani dëgjon bizneset të thonë ‘’nuk e kemi më problemin a  t’i japim lekët, problemi është a i kemi a s’i kemi këta që ne duhet të paguajmë , mjaftueshëm të kualifikuar”?

Kjo që ndodh tani me arsimin profesional, kjo që ka filluar, është baza që në 5 vite skema të fillojë të marrë frymë edhe sepse  do fillojmë një operacion si ai i energjisë që bëmë atëherë, do e fillojmë dhe me kontributet shoqërore dhe shëndetësore sepse është e papranueshme që të bëjmë evazion me këto dy pika më bazike që i kemi më të ulëtat në rajon. Sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore në pagën e punonjësve tanë janë më të ulëtat në rajon. Taksë fitimi për biznesin e vogël s’ka, si askush në rajon; Tvsh deri në 100 mijë euro në vit s’ka. Sigurimet shoqërore më të ulëtat, sigurimet shëndetësore më të ulëtat, po nga do dalin të gjitha ato të ardhura për t’i bërë të gjitha dhe plus për të mbështetur rritjen e pensionit që gjithsesi do të duhet ta mbështesim në këtë fazë pjesërisht nga buxheti i shtetit. Nuk mund ta lëmë në këtë fazë rritjen ekonomike që të mos përfshijmë pensionistët, se po i përfshijmë të gjithë faktikisht. Mësuesit kanë shkuar me 950 euro mesataren e pagës, punonjësit në sektorin publik në total janë 900 euro mesatarja e pagës, që janë shumë në raport me ç’ishin,  por nuk janë shumë në raport me ç’duhet të ishin. Pra duhet të jenë dhe ato. Në sektorin privat pagat reale janë shumë të larta se ato që deklarohen, që është një problem që vazhdon të ekzistojë megjithëse është përmirësuar shumë nga deklarimi dhe pensionistet janë të vetmit që nuk kanë prekur një gjë direkte nga kjo rritje ekonomike, pra është një rritje ekonomike që nuk mund të quhet inkluzive komplet nëse nuk përfshihen dhe këta dhe ne nuk mund ta lëmë këtë kategori jashtë, por që këtu ka një sërë gjërash që këtu duhen atakuar dhe duhen goditur, dhe duhen axhustuar e korrigjuar, kjo nuk diskutohet dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për këtë, se nuk mund të jetë kështu.

Shkojmë në punë, marrim rrogën, nuk paguajmë  sigurimet shoqërore dhe pastaj ankohemi pse të moshuarit në shtëpi nuk kanë pension të lartë.”

“Do t’ju bëjmë një konvikt që nuk do keni më qejf të mbaroni shkollën, aq të mirë do t’ua bëjmë konviktin, kështu qe në fillim të vitit tjetër do vij unë  ta shoh bashkë me ju edhe nëqoftëse nuk do të jetë si them unë, do ta bëjmë prapë nga e para, por do jetë kështu si them unë. Edhe këtu do bëjmë fushat e sportit, se ju duhet edhe pak sport; edhe rruga do rregullohet sa të përfundojnë këto punët me kamionët e mëdhenj, edhe do jeni siç nuk keni qenë ndonjëherë, pastaj me këtë zanat do jeni siç keni dëshirë të jeni, kështu që bëjani hyzmetin se me këto punët e dorës do të jeni si lojtarët e  kombëtares që i kërkojnë nga skuadrat e tjera në këtë vend dhe në këtë ekonomi, se do të ketë gjithmonë e më shumë nevojë për ju e gjithmonë e më pak nevojë për njerëz që kanë një diplomë por s’dinë të bëjnë asnjë gjë. Punë të mbarë!” – iu drejtua kryeministri Rama nxënësve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb