TIRANË

Me xhaketë blu dhe kravatë lejla, Kryeministri Edi Rama ka dalë para shqiptarëve mbrëmjen e sotme, 2 orë pas mbylljes së votimit duke deklaruar se sot fitoi e ardhmja.

Rama bëri një përshkrim të asaj që sipas tij ishte e shkuara dhe asaj që ofron kjo maxhorancë. Kreu i qeverisë i quajti humbës opozitarët edhe pse nuk morën pjesë në zgjedhje.

“Të nderuar bashkëqytetarë me ose pa përkatësi e bindje politike brenda ose jashtë atdheut ku ndodheni. Sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarje të rëndë politike të frymëzuar, të nxitur dhe organizuar për të ndaluar ecjen tonë përpara në rrugën e normalitetit shoqëror, bashkëjetesës demokratike dhe integrimit të popullit shqiptar në familjen e popullit të Europës. Sot ishte dita e zgjedhjeve vendore të radhës e cila u kthye në muaj pas muaji në ditën kulmore të një përplasje historike mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes qytetarisë dhe harbutërisë, mes politikës së forcës dhe forcës së politikës, mes dhunës kërcënuese të së djeshmes dhe shpresës së natyrshme të së nesërmes, mes Shqipërisë së djeshme mes fantazmave dhe Shqipërisë që duam për të gjithë fëmijët. Sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, forca e politikës, qytetaria, fitoi shpresa. Fitoi me të drejtë e dinjitet Shqipëria e të ardhmes evropiane. Humbi Shqipëria e djeshme pa din e pa iman”, deklaroi Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb