Kryeministri grek në largim Alexis Tsipras i dorëzoi të hënën pushtetin pasuesit të tij, Kyriakos Mitsotakis, i cili fitoi me shumicë dërrmuese zgjedhjet e parakohshme falë premtimit për të rritur investimet, ulur taksat dhe për të krijuar vende të reja pune. Fitorja e zotit Mitsotakis duket se i ka bazat tek lodhja vitet e fundit nga politikat shtrënguese të Bashkimit Evropian, të kombinuara me papunësinë e lartë.


Kyriakos Mitsotakis, i cili ka të ngjarë të përballet me një betejë të vështirë për shkak të premtimeve të tij, u betua si kryeministri i ri i vendit ditën e hënë. Demokracia e Re fitoi rreth 40 për qind të votave, duke larguar nga pushteti zotin Tsipras të partisë Syriza që mori 31.53 për qind të votave. Kyriakos Mitsotakis, i diplomuar në universitetin e Harvardit dhe djali i ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis, do të ketë një shumicë prej 158 vendesh në parlamentin grek prej 300 anëtarësh.


“Grekët e thanë fjalën e tyre. U jam shumë mirënjohës për rezultatin. Fituam 40 për qind të votave që është diçka e pabesueshme. Kemi përpara një politike të fragmentuar dhe ndjej se kam një mandat të fortë për të zbatuar axhendën time, që është një axheendë për rritje ekonomike, për të krijuar më shumë vende pune, por gjithashtu për t’u siguruar që populli grek të ndihet i sigurt përsëri”.


Zoti Mitsotakis është zotuar se do të krijojë vende të reja pune përmes investimeve të huaja, shkurtimit të taksave dhe heqjes së pengesave ndaj biznesit. Alexis Tsipras i thirri zgjedhjet tre muaj para afatit pasi partia e tij Syriza pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet lokale dhe ato për parlamentin Evropian që u mbajtën gjatë muajve maj e qershor. Greqia ka rifilluar të rimëkëmbet pas një krize masive financiare shoqëruar me papunësi të lartë dhe nivel të mprehtë të varfërisë.

Vendi u detyrua që të pranonte miliarda dollarë në formë pakete shpëtimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, vende të tjera të eurozonës dhe Banka Qendrore Evropiane, në shkëmbim të shkurtimeve të thella të shpenzimeve dhe kryerjen e reformave të tjera. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb