NGA:FATMIRA NIKOLLI* TIRANE- Kur presidenca hoqi kangjellat rrethuese një vit më parë, me të drejtë, zhurma e zallamahia i shoqëruan punimet në godinën monument kulture. Atëkohë, asgjë nuk ndryshoi. Punimet vijuan, madje përfunduan! Godina e Kryeministrisë do të pësojë ndryshime në fasadën e saj, por kësaj here ka vetëm heshtje. Edhe pse është monument kulture i kategorisë së dytë, qeveria nuk është ndalur.
Punimet për ndryshimet kanë filluar ditë më parë, ndërsa projekti ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Restaurimit pranë Ministrisë së Kulturës, vetëm ditën e premte, datë 3 korrik. Në fasadën e saj, me pamje nga bulevardi, do të ndërtohet një strehë e gjerë, e mbushur me drita. Nga projekti, ajo duket tejet moderne për projektin e 1930-ës me të cilin u ngrit në këmbë godina. Në mos i merr ‘frymën’, ky volum i ri ndërhyn në imazhin e krijuar e të ruajtur ndër vite të ngrehinës-monument.
SHNDËRRIMI
Praktikisht, selia e qeverisë ishte një nga godinat pjesë e arkitekturës italiane në Tiranë si edhe pjesë e ansamblit muzeal, çka do të thotë se për çdo ndërhyrje në të, leja duhej miratuar më parë nga një këshill specialistësh të trashëgimisë pranë Ministrisë së Kulturës. Si monument kulture, është pamja e jashtme ajo që nuk duhet tjetërsuar. Objekti u projektua më 1939-ën nga arkitekti italian Gherardo Bosio dhe në fillim mbajti emrin ‘Pallati i Mëkëmbësisë’. Ajo është pjesë e aksit monumental të Tiranës. Në kuadër të nismës për ta kthyer në identitet, vitin që shkoi qe marrë në duar projekti origjinal i godinës, sipas të cilit, ajo u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Do jetë një hyrje e re për në Kryeministri, mbi të cilin do të ketë një volum të ri në formë strehe. Autori i saj, një skulptor i huaj, e ka parë këtë si vepër artistike. Praktikisht do të jenë dy skulptura, kjo përpara me pamje nga bulevardi dhe një skulpturë tjetër, moderne që sjell një përqafim, në oborrin e pasmë të Kryeministrisë”, – tha një burim nga KKR për “Gazeta Shqiptare”.
I pyetur nëse për çështjen pati debate apo kaloi menjëherë, burimi sqaroi se pati një diskutim, por në fund projekti u kalua, pasi u arrit në përfundimin se ndërhyrja nuk e cenon monumentin, duke qenë se është një pjesë që nuk futet organikisht në monument. Megjithatë, pyetja që shtrohet është: a ka vend në atë ndërtesë për të shpalosur ‘talente’, për të treguar modernizma, kur gjithë vlera e godinës qëndron te vitet që mban mbi supe, tek imazhi i ruajtur ndër vite, dhe te pamja e saj, për ç’arsye u shpall monument? Nga fotoja e projektit, krijohet një ide më e qartë mbi shtesën që i shndërron disi pamjen objektit, e objekti është në fakt fasada kryesore e godinës më përfaqësuese të qeverisë: pallati i Këshillit të Ministrave.
Pak metra sipër kësaj strehe, gjendet edhe basorelievi i realizuar nga skulptorët Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, Hektor Dule dhe Kristaq Rama, i ati i kryeministrit aktual shqiptar. Me ndryshimet që po bëhen, a do ketë vallë kakofoni stilesh, epokash e shijesh? Neni 27 i Ligjit për Trashëgiminë Kulturore thotë shprehimisht: “Monumente kulture të kategorisë II janë të gjitha ndërtimet në zonat-muze dhe në ato zona të mbrojtura të qyteteve-muze në qendrat historike, të pacilësuara monumente të kategorisë I. Ato ruhen vetëm në vëllime dhe përbërje arkitektonike të pamjeve të tyre të jashtme”.
SHEMBULLI
Përtej kësaj, Këshilli Kombëtar i Restaurimit e ka miratuar ndërhyrjen, me të edhe Ministria e Kulturës. A ka vlerë se leja u dha mbasi punimet kishin filluar? A ka vlerë se Ministria me të drejtë kërkoi mbrojtjen e vilave të Tiranës? A ka vlerë se ne u krenuam që Gjirokastra e Berati shpëtuan, nuk janë më nën vrojtim për t’u futur në listën e pasurive të rrezikuara të UNESCO-s (sepse nuk ishin në listën e rrezikut- ndryshe nga si u interpretua)? Shembulli që jepet për mbrojtjen e trashëgimisë, nuk lë shumë vend për fjalë. Herë me leje e herë pa leje, sekush do të lërë gjurmët e veta, herë në kurriz të lagjeve romake, herë në kurriz të vendbanimeve mesjetare, e herë në kurriz të godinave të bulevardit, që janë për Tiranën, e vetmja zonë, ku ka një farë rregulli në një qytet ku copëzat (banesat tiranase a vilat e trashëguara) e identitetit fshihen pas ngrehinash të larta, në një qytet që në treçerekun e tij është informal e i rrëmujshëm, kaotik, një Kandahar i vogël(siç shprehej vetë kryeministri).
Është mbase vendi të kujtojmë këtu, edhe zërat e specialistëve për Hotel Dajtin. Edhe për të, kundërshtitë u bazuan mbi mostjetërsimin e funksionit dhe pamjes. Por, mbase asgjë nuk ka vlerë tani kur punimet po mbarojnë me miratimin e Ministrisë së Kulturës. Me këtë ndërhyrje, i hapet rruga çdo transformimi që monumentet e kulturës duan të bëjnë nga jashtë dhe askush nuk mundet më ta pengojë sepse shembulli jepet me arrogancë në qendër të kryeqytetit.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)