Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel me të dërguarin e posaçëm evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak, në përpjekje për të gjetur zgjidhje rreth zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

Javën e kaluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, dështuan të shënojnë përparim në bisedimet e normalizimit dhe një takim trepalësh i planifikuar me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk u zhvillua, për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë.

I dërguari Lajçak tha të hënën në mbrëmje në një postim në rrjetet sociale se pavarësisht që në takimin e fundit javën e kaluar palët nuk arritën të pajtohen për rrugën përpara, puna do të vazhdojë “për t’i nxitur kryenegociatorët të punojnë në hapa konkret për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes”.

Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.

Një ditë më parë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se agjenda e takimit përcaktohet nga urgjenca më e madhe që është fillimi i zbatimit të marrëveshjes mbi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve, duke theksuar se njohja e ndërsjellë do të ishte rrjedhë logjike e këtij procesi.

Marrëveshja nuk parasheh njohje të ndërsjellë, po kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës, çka është konsideruar njohje de fakto por jo de jure e Kosovës nga Serbia./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: