Policia e Kosovës ka arrestuar sot gjatë ditës dy persona që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në tetë raste të grabitjeve të armatosura në Gjakovë.


“Në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë që nga muaji maj i këtij viti kanë ndodhur tetë grabitje të armatosura kryesisht nëpër pompa të derivateve dhe që nga ajo kohë hetuesit rajonal kanë punuar intensisvisht në identifikimin e kryesve të këtyre veprave dhe ndriçimin e rasteve në fjalë”, thuhet në njoftim.


“Gjatë kontrolleve (bastisjeve) të objekteve të banimit dhe objekteve tjera përcjellëse të personave të dyshuar të realizuara sot në cilësi të provave materiale janë sekuestruar armë dhe prova tjera të cilat do të shërbejnë për ndriçimin e plotë të këtyre rasteve si dhe ndërlidhjen e mundshme të tyre me raste tjera”, thuhet në njoftim.


Gjatë kontrollit janë sekuestruar:AK-47, pushkë gjahu e llojit Shotgun me katër fishek, pistoletë e llojit TT me një karikator dhe shtatë fishek, një shufër metalike, substancë e dyshuar si narkotik si dhe pajisje tjera përcjellëse për përdorimin e narkotikëve, maska, dorëza dhe rroba të ndryshme, veturë e tipit Golf katër, targa të ndryshme të veturave vjedhura , dy telefona mobil, dy kasaforta, municion dhe dyqind e njëzet e pesë euro para.

Sipas policisë, personat e arrestuar janë B.Z i lindur në vitin 1996 dhe M.Sh i lindur në vitin 1990. Pas përfundimit të procedurave policore personat e dyshuar me rekomandimin e prokurorit të shtetit dërgohen në qendrën e mbajtjes për 48 orë./Express