PRISHTINE – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Shqipëri. Në njoftimin për shtyp të Kuvendit, theksohet se Veseli do të qëndrojë në Shqipëri më 10-11 shkurt, ku do të zhvillojë takime me drejtuesit kryesorë institucionalë të Shqipërisë dhe përfaqësuesve të tjerë të politikës shqiptare.
“Axhenda e kryetarit të Kuvendit të Kosovës do të fillojë me takimin me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Më pas, kryetari Veseli do të pritet në takime të ndara nga presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Edi Rama. Një takim të veçantë do të zhvillojë edhe me kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha”, – bën të ditur Kuvendi i Kosovës.
Në ditën e dytë të vizitës, kryeparlamentari Veseli do të takohet me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-presidentët: Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.
Kreu i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë një vizitë edhe në familjen e dëshmorit të UÇK-së, Indrit Cara, në Kavajë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: