TIRANE- “Turqia dëshiron që të zhvillojë marrëdhënie ekonomike me Shqipërinë. Këto marrëdhënie janë të mira, por në shikojmë që të dy vendet kanë potencial dhe mundësi për t’i rritur dhe për t’i zhvilluar më tej ato”. Kështu shprehet kryetari i Parlamentit të Turqisë, Cemil Çiçek në një intervistë ekskluzive për emisionin “Diplomaticus” të gazetarit Erion Kaçorri në “News 24”.


Çiçek shprehet se gjithmonë janë inkurajuar biznesmenët turq që të vijnë në Shqipëri. “Duhet të ketë një funksionim të mirë të shtetit ligjor. Çdo investitor i huaj që vjen duhet të gjejë drejtësi në vendin që shkon. Nëse nuk gjen drejtësi, investitori mund të pengohet dhe të largohet”, shprehet Çiçek.

I pyetur për interesin e Turqisë për ndërtimin e xhamive në vende të ndryshme të Ballkanit dhe të botës duke përfshirë edhe Shqipërinë, Çiçek shprehet se ky interes nuk ndalet vetëm në ndërtimin e xhamive.

“Në shumë vende ballkanike, në shumë popuj ballkanik ne kemi gjurmë të trashëgimisë dhe qytetërimit të përbashkët kulturor të cilat duhen mbrojtur dhe kultivuar”, deklaron Çiçek.

Duke u ndalur tek tensionet në Kumanovë, Çiçek shprehet se Turqia i ka ndjekur me shqetësim zhvillimet atje. Sipas tij Ballkani në të kaluarën ka vuajtur shumë.

“Mund të ketë probleme, por unë mendoj se këto probleme duhet të zgjidhen gjithmonë me rrugën e dialogut, kompromisit dhe të bisedimeve. Asnjëherë me dhunë dhe me forcë. Të mos kthehemi përsëri në vuajtjet e së kaluarës”, deklaron Çiçek për televizionin “News 24”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb