Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, ka dërguar një mesazh urimi për të gjithë besimtarët katolikë me rastin e Krishtlindjeve.
Në mesazhin e tij, kryepeshkopi Anastas thekson se ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është prejardhja apo raca, por natyra njerëzore. Ai fton besimtarët të reflektojnë mbi rëndësinë e këtij festivali dhe të bashkohen në dashuri dhe mirësi.
Mesazhi i plotë:
Mishërimi i Fjalës së Perëndisë, pra: “Fjala u mishërua dhe banoi ndër ne” (Jn. 1:14), vazhdon të mbetet ende një e vërtetë kryesore dhe një bosht i qëndrueshëm i mendimit dhe i jetës së tërë besimtarëve të krishterë. Sikurse e pohojmë me vendosmëri në Simbolin e Besimit, ne besojmë në Jisu Krishtin, “Birin e Perëndisë, të vetëmlindurin, që lindi prej Atit përpara gjithë shekujve… Që për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti prej qiejve dhe u trupëzua prej Shpirtit të Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, dhe u bë njeri”. Sipas shprehjes së mrekullueshme të Athanasit të Madh, “Ai u mishërua, që ne të hyjnizohemi”. Krishtlindja na zbulon dy faza të Planit Hyjnor: Së pari, ardhjen e Birit dhe Fjalës së Perëndisë në historinë e njerëzimit; së dyti, qëllimin e ardhjes, që është hyjnizimi i njeriut sipas hirit. Gjithashtu, na zbulon se rruga e dashurisë është e vetmja mënyrë për ta bërë të mundur këtë qëllim.
Krishti i mishëruar, i vërteti “Princ i paqes”, nuk “u shfaq në mish” si sundimtar me fuqi, njohje dhe pushtet njerëzor. Perëndia i pafund dhe i paarritshëm mori natyrë të plotë njerëzore, duke theksuar vlerën e pamasë të njeriut. Ajo që i jep vlerë çdo njeriu nuk është prejardhja, raca, njohuritë apo aftësitë e tij, por fakti që është njeri. Përkufizimi “në mish” përfshin çdo gjë materiale dhe shpirtërore që përbën njeriun. Në Personin e Krishtit, natyra hyjnore dhe natyra njerëzore i bëjnë vend njëra-tjetrës pa u tjetërsuar. Kemi të bëjmë me një Ngjarje që është themeli i zbulesës së krishterë, që mbështet çdo vlerë dhe propozim të krishterë.
Krishtlindja shpall tërë gëzim se “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme” (Jn. 3:16). Madje shpall se Biri i mishëruar i Perëndisë zbulon misterin e Perëndisë Triadik. Kjo e kremte e madhe Zotërore e Lindjes së Perëndisë e ndriçon zemrën me qetësi, ngushëllim, optimizëm dhe bujari. Por, mbi të gjitha, zbulon se Perëndia është dashuri. Dashuria e krishterë nuk është një shpërthim i papërcaktuar emocional, por një qëndrim jete, që shprehet në jetën e përditshme. Është një dritë hyjnore, që ndriçon në tërë qenien. Rrezet e saj i përkufizon në mënyrë shprehëse apostull Pavli: “Dashuria është zemërgjerë, kërkon të mirën. Dashuria nuk ka smirë. Dashuria nuk krekoset, nuk mburret, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon përfitimin e saj, nuk pezmatohet, nuk mendon të ligën, nuk gëzohet me padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën. Dashuria përballon gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka dhe duron gjithçka. Dashuria nuk shteron kurrë (1 Kor. 13:4-7).
Krijuesi dhe Zoti i gjithësisë, nuk është një energji, një urtësi, një fuqi jopersonale, të cilit i afrohesh përmes aftësive menduese të trurit. Ai është Perëndi personal që dashuron dhe i zbulohet njeriut, i cili ndodhet në një marrëdhënie të vazhdueshme me të. Një marrëdhënie që e lartëson të gjithë qenien njerëzore. Perëndia, tek i cili kemi mbështetur jetën tonë, nuk e braktisi njerëzimin, të cilin e mundon egoizmi dhe armiqësia. Ai vazhdon të jetë Emanueli, “Perëndia është me ne”, duke i dhënë jetës kuptim dhe përmbushje. Përmes përulësisë, e cila ndërthuret gjithmonë me dashurinë, i kundërvihet krenarisë, rrënjës së përhershme të çdo të keqeje, lakmisë, agresivitetit, konflikteve vrastare, përplasjeve shkatërrimtare. Në epokën tonë të ashpër dhe të veçantë, ku në shumë zona vërshon furishëm urrejtja dhe dhuna, ne të krishterët, që i qëndrojmë besnik atij që u shfaq në mish, Princit të paqes, le të bëjmë gjithnjë qëndresë, me tërë forcat tona shpirtërore dhe trupore, kudo dhe me aq sa mundemi.
Kisha nuk kufizohet thjesht në disa reflektime; ajo i kremton këto ngjarje në mënyrë dhoksologjike dhe i shpjegon përmes himneve. “Ja Krishti lind, lavdërojeni. Ja Krishti qiellit vjen, dilni priteni. Ja Krishti mbi dhénë, ngrihuni!”. Në këto ditë kremtuese, ne që jemi besimtarë duhet të lartësohemi drejt një jete lavdërimi dhe dashurie.
Vëllezërit e mi, po jua rikujtoj: S’ka gjë më të bukur sesa të duash, edhe sikur të lodhesh, sado që të vuash. S’ka gjë më të mrekullueshme sesa të duash, “në Krishtin” vërtet të duash. “Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të”.