TIRANË- Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi ka komentuar në lidhje me çështjen e Kryeprokurorit të ri të Përkohshëm, për të cilin opozita nuk pranon të zgjedhë një emër të ri pa u ngritur Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Bylykbashi thotë se Rama do që ta zgjedhë Prokurorin e Përgjithshëm me 36 vota pa u ngritur SPAK, në mënyrë që Kryeprokurori i ti të mund të pezullojë prokurorët e krimeve të rënda që hetojnë dosjet e nxehta.

STATUSI I BYLYKBASHIT
Ramës i duhet pak prokurori, se ashtu është një pune…
Nëse ngrihej Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ky këshill do të ngrinte SPAK, prokurorinë e posaçme antikorrupsion. SPAK është i pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm‎ dhe do të merrte në dorë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda hetimin e dosjes Habilaj/Tahiri, të Dakos, Sejdinit dhe dosjet e korrupsionit. Prokurori i Përgjithshëm nuk i pezullon dot prokurorët e SPAK.

Duke mos u ngritur Këshilli i Lartë i ‎Prokurorisë, SPAK nuk ngrihet dot, Rama duke shkelur Kushtetutën cakton me 36 votat e tij Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm që ka në vartësi e mund të pezullojë prokurorët e krimeve të rënda që hetojnë dosjet e nxehta dhe të caktojë ata që do Kryeministri.
Dhe pastaj ka sharlatanë që thonë se Rama nuk po kap drejtësinë, por po bën reformë në drejtësi!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb