Vetëm pak ditë nga krijimi i këtij institucioni, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të hapë garën për kryeprokurorin e ri të Përgjithshëm. E natyrshëm lind pyetja nëse do të rikandidojë zonja Arta Marku në këtë post?

Cilët do të jenë kandidatët e tjerë që do të garojnë për postin e kryeprokurorit me një mandat 7 vjeçar?! Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në ‘News24’, duke iu referuar burimeve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, deklaroi se Marku do të kandidojë për këtë post, ndërsa shtoi se mund të jetë edhe në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Po ashtu ajo zbuloi edhe emra të tjerë kandidaturash, shkruan “BalkanWeb”.

“Në mbledhjen e parë të KLP, ku ishte e pranishme dhe zonja Marku, e kemi pyetur atë dhe ajo preferoi që ta kalonte në heshtje. Burime pranë kabinetit të saj më kanë konfirmuar se ajo do të jetë ndër kandidatet e para që do të garojë për pozicionin e Prokurores së Përgjithshme me një mandat 7-vjeçar. Kanë filluar të përfliten edhe emrat e parë. KLP do ta hapë garën javën që vjen. Roli i prokurorit të përgjithshëm s’do të jetë roli që kishte dikur, por është një rol që do të duhet të ketë një njeri serioz. Edhe njëherë, nuk është se kam gjë personale me zonjën Marku, por mendoj se nuk e përfaqëson të gjithë trupën e prokurorëve, pasi nuk ka liderishipin për të pasur atë pozicion. U kritikua ashpër nga ndërkombëtaret. Zonja Marku nuk ka ndonjë bilanc apo ndonjë çështje që ngelet për t’u përmendur. Ka pasur profil të ulët dhe më është dukur, ku transferimet e prokurorëve duket sikur i ka bërë në shenjë hakmarrje. Më duhet si një prokurore e kapur nga politika edhe për mënyrën se si veproi përgjatë qëndrimit të saj në këtë detyrë. Flitet qe mund të konkurrojë Sokol Stojani, një prokuror me mjaft eksperiencë, që ka hetuar çështje të rëndësishme gjatë qëndrimit vite me radhë në Prokurorinë e Përgjithshme. Një figurë që u rikonfirmua nga KPK. Në garë është edhe Adnan Xholi, një tjetër prokuror me eksperiencë dhe që ka hetuar çështje të rëndësishme. Janë figura mjaft interesante që kanë treguar në momente të caktuara forcën e duhur për të përballuar çështje të forta. Pritet edhe kandidaturën e Besnik Muçit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ka qenë dhe më herët kandidat për prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm por u s’kualifikua për një kriter. Gara pritet të hapet, emrat mund të jenë nga më të ndryshimit. Të gjitha gjasat janë që zonja Marku jo vetëm që të rikandidojë, por edhe të jetë në krye të prokurorisë. Thelbi i gjithë kësaj është SPAK, dhe këtu duhet vënë theksi. Se kush do të jetë njeriu që do drejtojë këta dy institucione të rëndësishme, pasi ata do të tregojnë peshën e vërtetë të reformës. Kam pikëpyetje të shumta edhe për vendimmarrjet e KPK”, tha Lala.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: