TIRANE– Kryeprokurorja Arta Marku vijon të çmontojë pikat kyçe në Prokurorinë e Përgjithshme, duke hequr njerëzit e paraardhësit Adriatik Llalla, e duke mbledhur rreth vetes të besuarit e saj. Këtë të premte, shefja e organit qendror të akuzës ka emëruar prokurorin Besnik Cani në postin e këshilltarit të kabinetit. Prej nëntorit të vitit 2016 Besnik Cani ka qenë prokuror në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa më herët ishte drejtues i organit të akuzës në Shkodër, ku për shumë vite ka shërbyer edhe Kryeprokurorja Arta Marku.

Emërimi i Canit është lëvizja e radhës e kryeprokurores Marku, që pasoi shkarkimin e Rovena Gashit nga detyra e drejtores së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, në përbërje të së cilës është edhe Sektori për “Dekriminalizimin”. Gashi njihej si një ndër njerëzit më pranë ish-Kryeprokurorit Llalla.
Vendin e Rovena Gashit e zuri Arqile Koça, i cili ishte edhe rival i Arta Markut në garën për Kryeprokuror të përkohshëm.

Në të njëjtën ditë Marku i komunikoi shkarkimin nga detyra drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës Petrit Fusha, i cili mbante prej 4 vitesh këtë pozicion. Ai do të vazhdojë detyrën si prokuror sektori, në Prokurorinë e kryeqytetit. Në krye të Prokurorisë se Tiranës, Marku emëroi përkohësisht Dritan Rreshkën. Ndonëse nuk ka një motiv për lëvizjet, kryeprokurorja është shprehur për angazhim maksimal për vazhdimin e hetimeve për çështjet sensitive.

Lidhur me angazhimin për hetimin e çështjeve të rëndësishme, Kryeprokurorja Arta Marku ka diskutuar këtë të premte edhe me ambasadorin Italian Cutillo, të cilin e priti në zyrën e saj.

Mësohet se gjatë takimit, Kryeprokurorja shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve. Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.

Nga ana e tij, ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.
Arta Marku u zgjodh në krye të organit qendror të akuzës në një seancë të pazakontë parlamentare me 18 dhjetor, ku opozita kundërshtoi me forcë zgjedhjen e saj, duke këmbëngulur për zgjatjen e mandatit të Adriatik Llallës deri në ngritjen e organeve të drejtësisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb