Derbi nuk luhet, por fitohet. Pavarësisht skemës, apo kushteve që vijnë dy ekipet, në çdo rast një derbi nuk e humbet kurrë shkëlqimin, mbetet një sfidë e përjetshme, një përballje historike që mbërthyen kryeqytetin, krijon një atmosferë unike që vetëm ky takim mund ta dhurojë. Partizani-Tirana, derbi i parë sezonal i gjen dy ekipet në kushte dhe me objektiva të ndryshme.

Me 8 pikë në 5 javë, Partizani renditet në vendin e 4-ët, por kreu është vetëm dy pikë larg. Tifozët e kuq kërkojnë nga ekipi të ruajnë statusin si të pathyeshëm, prej dy vitesh nuk njohin humbje në derbi, në 7 përballjet e fundit kanë fituar 5 dhe barazuar 2. Partizani kërkon me çdo kusht fitoren në derbi për të konfirmuar se janë një nga pretendentët kryesor për të fituar titullin këtë sezon. Ky është derbi i parë për Veselinovic.

I ndryshëm është diskutimi në radhët e Tiranës. Me 5 pikë në 5 javë, bardheblutë renditen në 7-të, 5 barazime radhazi po kthehen në shqetësim në shtëpinë e Tiranës, por ky është një sezon ndryshe për ekipin më të titullar në vend, është një vit tranzicioni ku është e vështirë që trajnerit Shkëmbi t’i vendosesh kushte apo objektiva fiks si titulli. Shkëmbi dhe të gjithë në radhët e Tiranës janë të qartë se një fitore në derbi do t’i jepte sezonit të tyre një shtysë të fortë, edhe për Shkëmbin ky është derbi i parë si trajner.

Ne letër, Partizani është dukshëm favorit në këtë derbi të parë, por të parashikosh një derbi nuk është kurrë kaq e lehtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb