Kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi ka dalë sot para mediave për të sqaruar pozicionin e tij, pas deklaratave se ka shkelur ligjin duke mbajtur njëherazi pozicionin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Ai tha se që prej 18 majit nuk është më kryetar i PSD, ndërsa detyra e tij e re si kryetar i ASH nuk është bërë ende efektive.

“Prej 18 majit unë nuk ushtroj më funksionin e kryetarit të PSD. në 24 maj jam zgjedhur nga asambleja e nderuar e Akademisë së Shkencave si kryetar i Akademisë Shkencave çka ende nuk është bërë efektive. Kështu që ndryshe nga ç’rendin prej kohësh të thonë nuk kryej as funksionin e kryetarit të PSD e as kryetarit të ASH.
Veprimet e mësipërme janë çuar për regjistrim në gjykatë dhe në KQZ. Dje gjykata pranoi dorëheqjen dhe zëvendësimin. Gjykata nuk bën pranim a mospranim, por reflekton dhe KQZ ka ndërmarrë veprimet përkatëse. Kështu që nga dje nuk figuroj as formalisht as në aktet e gjykatës as KQZ. Ata që ngatërrojnë se datëlindja është ditë që fëmija merr frymë për herë të parë i pavarur dhe jo dita e regjistrimit në gjendje civile”, deklaroi Gjinushi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb