“Deri para pak kohësh, kjo ishte tabu temë. Gjithmonë që e kemi biseduar me ndërkombëtarët dhe me përfaqësuesit e Kosovës bashkimin, përgjigja ishte se nuk ka ndryshim të kufijve dhe se duhet të integrohemi në Serbi. Së fundmi ka lindur kjo ide nga presidenti Thaçi”.

Kështu shprehet kryetari i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në intervistën ekskluzive për Gazetën “Lajm”, duke folur për mundësinë e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Ne e kemi pranuar si ide. Është ambicie e kamotshme e shqiptarëve të Luginë së Preshevës që të jenë pjesë e Kosovës, mirëpo prej tyre kemi kërkuar që Lugina e Preshevës të trajtohet si tërësi. Në të kundërtën mund të kemi katastrofë humanitare, sepse popullata shqiptare e fshatrave që do të mbeteshin nën Serbi do të zhvendosej prej vatrave të tyre. Ne nuk kërkojmë që Kosovë të flijojë për ne”, shton Kamberi, duke treguar se në takimin që përfaqësuesit politik të Luginës kanë realizuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, është thënë se nuk do të ketë shkëmbim territoresh por se vetëm Lugina do t’i bashkohet Kosovës.

“Që nga përfundimi i luftës së UÇPMB-së në vitin 2001 ne jemi futur në një proces politik me Serbinë, përmes të cilit ne tentojmë t’i forcojmë dhe avancojmë të drejtat tona. Ky proces ka dhënë rezultate shumë modeste. Ka disa rezultate, duhet të jemi korrekt, por janë shumë modeste në krahasim me premtimet dhe obligimet që ka marrë Serbia karshi shqiptarëve të Luginës.

Dhe nëse këta nuk kanë treguar një vullnet politik për 17 vite me radhë për t’i përmbushur obligimet, kjo tregon qartë se shqiptarët e Luginës i trajtojnë si element të padëshirueshëm në këtë shtet. Dhe nëse na trajtojnë si element të padëshirueshëm, atëherë duhet të ketë një zgjidhje.

Ne nuk kemi në plan t’i lëshojmë shtëpitë tona, në asnjë variant nuk përkrahim ndonjë ide të shkëmbimit të popullsisë, siç dalin tani iniciativat e reja nga Beogradi, ne jemi në vatrat tona stërgjyshore dhe do të angazhohemi, do të luftojmë me të gjitha metodat, që të mbetemi si zot të shtëpisë”, thekson Kamberi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb