Kryetari i parlamentit të Gjeorgjisë nënshkroi të enjten ligjin që kufizon rëndë të drejtat e komunitetit LGBTQ+ në këtë shtet dhe që imiton ligjet e miratuara në Rusinë fqinje.
Kryetari i parlamentit Shalva Papuashvili, njoftoi përmes rrjeteve sociale se ligji “nuk pasqyron idetë dhe ideologjitë aktuale, të përkohshme dhe të ndryshueshme, por bazohet te arsyeja, përvoja historike dhe vlerat e lashtë të krishtera, gjeorgjiane dhe evropiane”.
Presidentja gjeorgjiane Salome Zourabichvili refuzoi ta nënshkruante ligjin dhe ia ktheu atë parlamentit të mërkurën. Ligj u paraqit nga partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane” dhe ishte miratuar nga ligjvënësit muajin e kaluar.
Ligji përfshin ndalimin e martesave ndërmjet gjinisë së njejtë, birësimit të fëmijëve nga çiftet që i takojnë gjinisë së njejtë, si dhe përkrahjen publike, apo mbulimin nga media të marrëdhënieve, apo pjesëtarëve të komunitetit LGBTQ+. Ai gjithashtu ndalon kujdesin mjekësor për personat që ndryshojnë gjininë dhe ndalon ndyrshimin e identifikimit gjinor në dokumentet zytare.
“Ky ligj mbron të drejtat e të gjithë qytetarëve, përfshirë lirinë e të shprehurit, në mënyrë që të drejtat e të tjerëve të mos shkelen, që është edhe thelbi dhe ideja e një demokracie të vërtëtë”, tha zoti Papuashvili.
Parlamenti i dha miratimin përfundimtar ligjit ndërkohë që Gjeorgjia, një shtet kryesisht konservator, ku Kisha Ortodokse ka një ndikim të rëndësishëm, përgatitet për zgjedhjet parlamentare.
Shumë e konsiderojnë ligjin si një përpjekje të partisë në pushtet për të fituar përkrahjen e grupeve konservatore. Ligji është kritikuar nga aktivistët e të drejtave të njeriut dhe të komunitetit LGBTQ+, të cilët thonë se ai godet më tej një komunitet tashmë të brishtë.
Duke nënshkruar ligjin, partia ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ “po e çon homofobinë në një nivel të ri, në një homofobi politike dhe institucionale”, tha aktivistja Ana Tavadze, nga organizata ‘Tbilisi Pride’.
Ligji ka nxitur krahasime me Rusinë, ku Kremlini nënvizon ato që i quan vlera tradicionale të familjes. Autoritetet ruse në dekadën e fundit kanë ndaluar mbështetjen publike për “marrëdhëniet seksuale jotradicionale” dhe kanë hartuar ligje kundër përkujdesjes mjekësore për ndryshim gjinie, në kuadër të masave të tjera.