NGA: MIRSAD RAKAJ*MALESI E MADHE-Procesi i numërimit të votave për mandatet e këshilltarëve bashkiakë ka çuar në përplasje fizike mes numëruesve të djathtë dhe të majtë në Shkodër. Burime zyrtare bënë me dije se incidenti është shënuar paraditen e djeshme, në KZAZ nr.4 të bashkisë së qytetit verior. Ndërkohë, incidenti i rëndë i ndodhur pak para mesnatës të së martës në KZAZ-në nr.1 në Malësinë e Madhe (u përleshën militantët e PD dhe PS) ka bërë që procesi i numërimit të votave të ndërpritet për më shumë se 20 orë. Ky proces ka rifilluar mbrëmë rreth orës 20:00.
INCIDENTI
Një tjetër incident është shënuar në KZAZ nr.4, ku Indrit Kulli, numërues i Partisë Demokratike, është përleshur fizikisht me numëruesit e majtë të së njëjtës tavolinë numërimi. Shkak u bënë disa fletë votimi të pavlefshme që për të majtën konsideroheshin të rregullta. Pasi ka ndërhyrë policia, situata është normalizuar. Procesi u ndërpre për rreth 20 minuta e më pas ka rinisur sërish. Në qytetin e Shkodrës është duke vijuar numërimi për anëtarët e këshillit bashkiak. Deri tani kryeson Partia Demokratike me një përqindje mjaft të lartë, vendin e dytë e zë Partia socialiste dhe në vend të tretë është LSI. Edhe në Bashkinë Vau i Dejës kryeson Partia Demokratike, që ka përqindje më të lartë të votave, e dyta renditet Partia Socialiste dhe e treta LSI-ja.
MALESI E MADHE
Pak para mesnatës të së martës, në ambientet e jashtme të KZAZ nr.1 nisi një përleshje fizike mes militantëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste në Malësinë e Madhe, ku mes tyre u përfshinë edhe deputetë dhe pushtetarë lokalë. Mësohet se gjatë incidentit, simpatizantë të Partisë Socialiste kanë goditur me grushta kreun e Partisë Demokratike, Pjerin Spathari, ku ky i fundit është transportuar për në Spitalin Rajonal të Shkodrës për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Pasi ka lënë ambientet e spitalit, ai ka deklaruar për mediat se mes personave që e kishin goditur ka qenë edhe deputeti i Partisë Socialiste për qarkun Shkodër, Paulin Stërkaj, së bashku me një punonjës policie të veshur civil. Ky i fundit, sipas Spatharit, e kishte goditur në pjesën e vetullës duke i shkaktuar të çara. Jo vetëm kaq, por kryetari i PD-së në Malësi të Madhe ka akuzuar deputetin Stërkaj se ka nxjerrë edhe armën duke ua drejtuar njerëzve. Gjatë përplasjes fizike mes simpatizantëve të dy forcave politike, uniformat blu që kanë qenë të pranishme nuk kanë ndërhyrë, ndonëse situata po precipitonte deri në përplasje me armë mes dy kampeve. Pas konfrontimit, simpatizantët e PD dhe PS janë paqtuar vetë mes tyre. Ndërsa më pas kanë mbërritur në vendngjarje Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës. Nga ana tjetër, Stërkaj pohoi se incidenti nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me numërimin e votave dhe se ndodhi nga lodhja dhe nervozizmi. Pas incidentit, numërimi në KZAZ nr.1 u ndërpre. Fillimisht u mendua se kutitë e mbetura do të niseshin për t’u numëruar në Tiranë, por më pas KQZ-ja mori vendim që të nisë atje dy përfaqësues të saj. Vetëm dje në mbrëmje rinisi procesi i numërimit të votave në këtë KZAZ. Deri tani kryeson me rreth 800 vota diferencë kandidati i ASHE-së, Tonin Marinaj, ndaj kandidatit të APPD-së, Anton Kokaj.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: