Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiç, njoftoi të premten se më 14 prill do të mbahet një seancë për votimin e qeverisë së re të vendit, duke theksuar se “deputetëve u takon t’ia japin një shans” mandatarit Gjuro Macut.
“Shpresoj që seanca të mund të nisë tashmë të hënën, sepse duhet ta përfundojmë këtë proces deri më 18 prill në mesnatë. Pra, emrat e ministrave dhe përbërjes do t’i dimë atëherë, por kjo varet para së gjithash nga mandatari”, tha Bërnabiç për Radio Televizionin e Serbisë të premten.
Ajo tha se i ka ftuar përfaqësuesit e opozitës parlamentare për bisedime, në mënyrë “që t’ia japim një shans profesorit Macut.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e mandatoi javë më parë endokrinologun dhe profesorin e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd, Gjuro Macut, për formimin e qeverisë së re.
Vuçiç më herët kishte zhvilluar konsultime me partitë parlamentare lidhur me mandatarin për përbërjen e qeverisë së re.
Partitë opozitare kishin refuzuar të marrin pjesë në ato konsultime. Opozita kishte propozuar formimin e një qeverie kalimtare, gjë që koalicioni në pushtet e refuzon.
Qeveria e Serbisë ndodhet në mandat teknik që nga 19 marsi, kur deputetët në Kuvend miratuan dorëheqjen e Millosh Vuçeviç nga posti i kryeministrit.
Vuçeviç kishte dhënë dorëheqje një muaj e gjysmë më parë, pasi aktivistët e Partisë Përparimtare Serbe, në pushtet, kishin dhunuar një grup studentësh që po bllokonin punën e fakultetit në Novi Sad.
(BalkanWeb)