Është ende një teori, por mund të jetë hapi i parë drejt mjeteve hapësinore super të shpejta të së ardhmes, në gjendje që të arrijnë planetin më të afërt jashtë Sistemit Diellor në vetëm 20 vite, pa karburant, por duke përdorur thjesht dritën.

Në fakt, kërkimi i bërë nga Instituti i Teknologjisë në Kaliforni (Caltech), i publikuar në revistën “Nature Photonics”, ka zbuluar se objektet mund të ngrihen dhe të lëvizin vetëm me forcën e lazerit, falë dizenjimeve mikroskopike në sipërfaqen e tyre.

Pincat optike që përdoren sot në laboratorët e gjithë botës, që i sollën Arthur Ashkinit Çmimin Nobel për Fizikën në vitin 2018, mundësojnë manipulimin e objekteve shumë të vogla duke përdorur presionin e ushtruar nga një rreze lazer shumë e përqendruar.

Por kanë një limit, funksionojnë vetëm në shkallë mikroskopike dhe në distanca shumë të shkurtra.

Ndërsa metoda e zhvilluar nga Ognjen Ilic dhe Harry Atwater, mundëson që të punohet edhe me objekte që janë mijëra kilometra larg. Çelsi qëndron në mbulimin e sipërfaqes me dizenjime mikroskopike në gjendje të ndërveprojnë me dritën duke mbajtur objektin në rrezin e tij të veprimit.

Në teori, një mjet i mbuluar nga këto struktura mikroskopike mund të lëvizë vetëm me një rreze lazer të vendosur mbi Tokë.

Pa pasur nevojë që të transportojë karburant, anija mund të arrijë shpejtësi të jashtëzakonshme dhe të udhëtojë drejt yjeve të tjera në kohë relativisht të shkurtra.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb