Anija “Oriku”, pjesë e Flotës Detare shqiptare është kthyer në atdhe pas një viti qëndrimi në detin Egje, ku kontribuoi në operacionin e NATO-s “AEGEAN SEA”.

Nga 21 nëntori i vitit të kaluar e deri tani, gjashtë ekuipazhet e të anijes “Oriku”, P-132, kanë marrë pjesë në dhjetëra operacione në detin Egje në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndaluar trafikimin ilegal dhe migrimin në këtë rajon të trazuar.

Xhacka Oriku (4)

Rezultat i këtyre operacioneve është dhënia e ndihmës dhe shpëtimi i rreth 1 mijë  personave të moshave, gjinive e shtetësive të ndryshme, siriane, nigeriane, irakiane, somaleze, jemenase, kongoleze, etj të cilat nga brigjet e Turqisë do kalonin për në brigjet greke apo vende të tjera të BE.

Xhacka Oriku (1)

Në ceremoninë e organizuar në Portin e Durrësit, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, prania e anijes “Oriku” në detin Egje është shembulli më i mirë i lënies pas të çdo retorike, kur vjen fjala për të shërbyer në një mision NATO.

Dhe çfarë suksesi! Një mijë jetë të shpëtuara gjatë këtij viti, një mijë njerëz që falenderojnë flamurin e kuq me shqiponjën dykrenore. Falënderojnë e kujtojnë të gjithë ju, ushtarakë të Forcës sonë Detare, se u zgjatët dorën e shpresës dhe dritën e jetës, aty ku terrori i luftës dhe mungesa e së ardhmes, detyroi një kolonë të madhe njerëzore drejt eksodit larg nga Siria e Iraku”, tha Ministrja në fjalën e saj.

Xhacka Oriku (6)

Ajo ka vlerësuar kontributin e të gjithëve efektivëve shqiptarë në të gjitha misionet paqeruajtëse ku Shqipëria merr pjesë, siç janë ato në Afganistan e Kosovë, të cilat Ministrja Xhaçka i vizitoi gjatë javës që kaloi.

“Kudo ku shkova dhe këdo që takova, mu fol me superlativa për gjithë ushtarakët shqiptarë, motrat e vëllezërit tanë që në çdo situatë të vështirë, janë shembuj të shkëlqyer profesionalizmi. Dua të ndaj me ju vlerësimet maksimale të komandantëve të Misionit Resolute Support në Afganistan dhe KFOR në Kosovë, që më kërkuan t’u dërgonim më shumë ushtarakë shqiptarë pranë tyre. Të njëjtin vlerësim ma thanë dy javë më parë ministrat kanadez dhe letonez për djemtë tanë që janë pjesë e Prezencës së Përparuar të NATO-s në Letoni. Kudo ku keni shkuar, vazhdoni të na nderoni. Nuk ka më bukur kur dora e shpëtimit është dora e një shqiptari”, përfundoi fjalën e saj Ministrja e Mbrojtjes.

Xhacka Oriku (5)

Shqipëria do të zgjasë me një vit qëndrimin e saj në detin Egje dhe së shpejti drejt operacionit do të niset anija Butrinti me 17 anëtarë të ekuipazhit. Kjo anije për herë të parë do të jetë e pajisur me armatim, një risi kjo në anijet shqiptare të patrullimit. Në kontingjentin e fundit në Egje pjesë e ekuipazhit kanë qenë edhe dy vajza në uniformë.

Xhacka Oriku (5)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb