TIRANË

Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, e cila nuk hoqi dorë nga mandati, ka reaguar në rrjetin social “Facebook” për propozimin e Parlamentit Holandez në lidhje për kthimin e vizave për shqiptarët.

Ajo e cilëson shqetësim të madh vendimin e këtij parlamenti që i kërkoi qeverisë kthimin e regjimit të vizave për shkak të rritjes së kriminalitetit nga mafia shqiptare në shtetin e Holandës. Sipas saj, ky propozim është një dëm real për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Reagimi i plotë:

Shqetësues vendimi i Parlamentit të Hollandes që i kërkoi qeverisë rikthimin e rregjimit të vizave me Shqipërinë.Parlamenti i Hollandes me një shumicë të pazakontë prej 2/3 (108 Vota Pro, 42 Vota Kundër) ka votuar pro propozimit të 5 partive parlamentare (VVD, CDA, PVV, SP dhe CU) “për rikthimin e rregjimit të vizave për shtetasit Shqiptarë” për shkak të: rritjes së aktiviteteve kriminale nga mafia Shqiptare në Hollandë, zgjerimit të rrjeteve të kontrabandës nga organizatat kriminale si dhe krimi ndërkufitar të cilët keq-përdorin lëvizjen e lirë për arritjen e synimeve të tyre të kundra-ligjshme.

Ky vendim i Parlamentit Hollandez është shënje reale e rrezikut potencial në dëm të proçesit të Integrimit Evropian të Shqipërisë në tërësi dhe për vendim-marrjen e radhës të Këshillit të BE (Vendeve Anëtare) lidhur me çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Nëse qeveria Shqiptare do të kishte reaguar me përgjegjshmëri në kohë lidhur me situatën shqetësuese që shkaktoi ndërmarrjen e masave nga Parlamenti Hollandez ky vendim mund të parandalohej.

Qëndrimet e qeverisë hollandeze dhe të ministrit të Jashtëm të Hollandës Stef Blok-ut vazhdojnë të jenë mundësi për të parandaluar këtë problem i cili është vërtet shqetësues dhe mund të sjellë efekt zinxhir.

Për këtë qeveria Shqiptare ka detyrë të rrisë seriozitetin/përgjshmërinë e bashkëpunimin me qeverinë dhe agjencitë ligjzbatuese partnere të Hollandes dhe të vendeve të tjera të BE në luftën kundër krimit të organizuar.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb