Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë shtetërore të përmortshme të kthimit në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe kulturës kombëtare, Mid’hat Frashëri:

“Në u dashtë të vdesësh, pa kurrfarë pengje mbetur,
Do të doja të ndodhte n’at muzg, ku Lavdia shpaloset mbi shtratin e fjetur,
Dhe Mëmëdhenë mes gëzimesh, mes të kremtesh më rrëfen”

Kështu shkruante 110 vjet më parë, një djalosh i quajtur Charles de Gaulle, i cili në një moshë më të pjekur do t’i jepte shumë çështjes së lirisë, qëndresës ndaj armiqve të saj dhe vetëvendosjes së kombeve. E tamam atëherë kur u hartuan ato vargje, një tjetër djalosh, i quajtur Mid’hat be Frashëri gjente një copë mëmëdhe në Manastir, ku kryesoi edhe të parin kongres mbarëkombëtar shqiptar për një alfabet të njehsuar.

Ja se çfarë mund të lexohet rreth asaj ngjarjeje madhore të historisë sonë, në gazetën “Liria”, që vetë Mid’hat Frashëri e nxirrte në Selanik:

“Le të them këtu ç’ është qellim’ i kësaj mbledhje.
Librat Shqip që kanë dalë gjerë më sot s’janë shtypnnë të gjitha me një lloj abece.
Në Toskëri të terë dhe në shumë vise në Gegëri, tekdo ku këndohetë shqipja dhe prej gjith atyre që kanë deshirë per gjuhë të tyre, perdoretë abeceja me të cilët po shkrojmë dhe në gazetenë tënë, kësaj abeceje i thonë dhe e Stambollit, se aty tridhet vjet më parë duallë në shesh këto shkronja.
N’ anë tjatrë në Shkodrë perdorinë tri abece: e jezuitve, e Bashkimit dhe e Agimit. Abeceja e parë përdoret që këtu e 300 vjet; e Bashkimit dolli në shesh nja 10 vjet më parë dhe ajo e Agimit 5 vjet më parë. Tani Kongresi që po mblidhetë në Manastir do të kerkojë që të kupëtohetë bota per të perdorurë një të vetëm abece dhe të lihenë me nj’ anë të tjeratë.
Shprehim fort shumë që më vullnet të mirë dhe duke u mejtuarë me paanërisht Kongresi t’ apijë në qëllim dhe t’ apë gjithë pemëtë që duhëtë.”

Për ta kryesuar atë Kongres, Mid’hat Frashërin, parafytyrojeni, e zgjedhin dhe e ftojnë në mungesë 32 delegatë nga të gjitha viset dhe kolonitë shqiptare ndër të cilët Mjeda, Luigj Gurakuqi, Bajo Topulli, Fehim Zavalani, Shefqet Frashëri, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja, Thoma Avrami, që e lusin çunakun nga Stambolli të vijë dhe të zërë fronin e nderit, një fron që ndoshta, madje jo ndoshta, me siguri secili prej delegatëve e meritonte, në mos edhe e mëtonte.

Përse vallë, djaloshi u bë figura e konsensusit mes atyre burrave emërshquar dhe përse kur e pranoi si i zënë ngushtë atë barrë, e tërë paria e Kongresit u ngrit ta priste në stacionin e Manastirit me nderimet që iu bëhen krerëve të kombësisë?

Kush ishte ky djalosh që më vonë do të hynte në historinë e shqiptarëve si një hije plot dije, me një identitet të dyfishtë, njërin, Lumo Skëndon për tempullin e letrave, tjetrin, Mid’hat Frashërin për staturën e shtetarit nën mantelin e politikanit me cen në biografi dhe që në fund fare, edhe në banesën e fundme do të qëndronte për shumë kohë si një jabanxhi nën dhe të huaj, sepse i papranuar për 7 dekada në nëndheun e atdheut të tij?

Ky ishte si fillim, i vetmi djalë që tallazet dhe të papriturat e jetës i lanë Abdyl Toskës, siç e quan Fishta në Lahutën e Malcis njërin prej 3 vëllezërve të mrekullueshëm të historisë së shqiptarëve, Abdyl Frashërin. Frashërllintë njiheshin si “halimë”, pra, njerëz të diturisë në më të shquarën qytezë të Shqipërisë, në Frashër, një vend i barabartë me “Mekën e Arabisë e Betlehemin e Krishtërisë”, sipas Mihal Gramenos.

Në Frashërin e vëllazërisë unike ndërfetare dhe osmozës së veçantë farefisnore, ky djali i Abdylit mori nën vezullimin e një drite, e cila nuk njihte asokohe perëndim, qumështin e parë të dijes universale dhe të vetëdijes kombëtare.

“Që në djalëri t’eme”, – shkruan Mid’hati – “që kur se mbaj mend, kam dëgjuar në shtëpi fjalë për Shqipërinë, dua të them, bisedime mbi të drejtat e saj, fjalime që dilnin nga parimi i kultit të mëmëdheut, që buronin nga dashurija për Shqipërinë dhe nga detyrat e çdo shqiptari për truallin e vet.
Këto dëgjova të parën herë kur fillova të flas, atëhere që qeshë dy vjeç në Frashër dhe më vonë, në Janinë, nga mama ime, nga gjyshi. Kur vamë në Stamboll, kjo mënyrë kuvendimi vazhdoj prej ungjëvet të mij.
Isha pesë vjeç kur e njoha për herë të parë tim atë, kur u fal prej burgut, por qe akoma i dënuarë me mërgim. Im atë fliste mirë, qe elokuent, i pëlqente bisedimi.
Kështu që ca e nga ca, mëmëdheu mori për mua formën e një perëndie dhe kulti i tij mori për mua vendin e një besimi fetar. Po bashkë me adhurimin e tij dhe fare e pandarë zinte vent edhe çdo cep i pandarë i Shqipërisë, që mua më dukej si një trup i gjallë”.
“Ky besim fetar”, – shkruan sërish Mid’hati, – “kishte gjetur rastin të më hynte në zemër; kulti i tij gjente pra një vend fare të lirë që të zhvillohet dhe të rritet çpenguarë”.

Publicisti dhe njeriu politik, që me kaligrafinë e tij mbushi mijëra fletë, na ka lënë mes atyre fletëve një kronikë të vërtetë unikale burrërimi dhe zemërformimi.

Më 29 maj të motit 1898, 18 vjeçar, ai i harton vetes një promemorie lidhur me nxënien, lëçitjet dhe përgatitjen e tij intelektuale qysh prej moshës 10 vjeçare.
Është viti gjatë të cilit do të botohet edhe numri i parë i “Kalendarit kombiar”. Kjo promemorie, apo ky ditar, besoj, është një monument jo vetëm memuaristik, por edhe një çelës për të rrokur gjerësinë dhe larminë e formimit të tij ndërdisiplinor.

“Qysh kur ishim në Eren-Qoj, domethënë qysh në nëntor e deri në ditën që po shkruaj këto rrjeshta, domethënë sot, më 29 maj 1898, kam studiuar, prej Sami beut gramatikë arabisht, vet më vehte studiova fizikë, kimi tri libra të vegjël, gjeologji, botanikë, zoologji tri libra, Montekriston në frëngjisht, shkenca të ndryshme, anatomi 4 volume, mineralogji, kozmografi-mekanikë. Prej tri a katër javësh fillova mësimin e algjebrës nga nji oficer i quajtur Rushdi bej”.

“Në moshën 12-13 vjeç brenda vitit që erdhëm së parit në Këzëll Toprak kam mësuar me të ndjerin babain tim Gjeografinë e përgjithshme, përfshirë atë të Azisë dhe Afrikës, dy volume.
Edhe në moshën 13-14 vjeç përsëri po në Këzëll Toprak, vajta në shkollën e Fretënvet tetë muaj. Këtu studiova gramatikë, lexim letrar, arithmetikë, histori të shenjtë.
Pastaj erdhi Merjemi, pat filluar dimri, bashkë me të mësuam nga një hoxhë me çallmë.
Në frëngjisht kam zotësi e kompetencë të gjërë. Persishten e marr vesh. Arabisht kuptoj. Gjermanishten e lexoj edhe greqishten e lexoj.
Më ka kapur një pasion i madh për studimin, veçse po më shqetëson epshi i shumtë që kam e po më sjell pengime deri diku në studime të thella”.

Kjo ishte pak a shumë, shumë pak nga ky ditar mbresëlënës për nga dlirësia e një fëmijë që maturohet mes pasioneve të moshës dhe rend një vokacioni, një thirrjeje së cilës duket se qysh në krye të herës i ka kushtuar jetën: studimeve.
Studimeve të vërteta, jo për hir të afirmimit të një individualiteti, por për hir të detyrimit për të shërbyer, për t’i shërbyer dashurisë së parë e të pandarë të zemrës, mëmëdheut.

Mid’hat Frashëri lexoi dhe studioi në gjuhët dhe alfabetet kryesorë të njohur të kohës; përthithi kulturat më të sofistikuara, frekuentoi profesorë të çdo origjine, adhuroi babain dhe ungjit e tij shqiptarë, admiroi mësuesit e tij turq dhe grekë, ushqeu afeksionin birnor të dishepullit ndaj hoxhëve me çallmë dhe etërve jezuitë dhe ndërtoi një patriotizëm të çpenguarë nëpërmjet zemrës, siç vetë ai shkruan.

“Nuk bëhet gjësendi me smirë dhe urrejtje. Gjithë sa na sheh syri dhe na pëlqen, çdo send i mirë dhe i këndshëm bëhet me dashuri. Shpirti, zemra, mendja, duhen ushqyer me dashuri, me dhembshuri”.

Duke shfletuar “Hi dhe shpuzë”, këtë antologji të thërrimeve të kujtesës, në rreshtat që i kushton përshkrimit të Venusit të Milos, kuptojmë që Lumo Skëndo ish edhe një fëmijë i së bukurës:

“I lumtur Fidias, m’i lumtur se Hyji!
Se mendja jote polli bukurinë e pavdekur, gruan, gjithnjë të dëshiruar, kurrë të gjetur”.

Ndonëse të shumtë kanë qenë ata që e kanë nderuar me tituj, Mid’hat beu, me shumë kursim ka përdorur të vetmin syresh që nuk i shkonte kujt për shtat dhe as për mend; pikërisht titullim e shërbestarit të Kombit.

Këtë vet’emërtesë e përdor rrallë, si një ofshamë dëshpërimi, duke vërejtur vetminë në mendime dhe veprime që fillon ta rrethojë, deri në fillikatësi të fundjetës.

Lumo Skëndo pyet veten:

“Po për ne, të harruarit e botës, edhe më keq akoma, të harruar prej vetvetes, a ka pak pjesë në këtë çlodhje të përgjithshme? Do të ngjerojmë dhe ne tek kjo darkë e mirë, ku janë ftuar kombet e dheut?”

Ndërsa Mid’hat Frashëri shkruan diku se “Europa mbaron në Budapest dhe Orienti nis në Brusë e në Kalip; midis këtyre vendeve është një kloak, mexhlis, ku rrjedhin ndyrësitë e Perëndimit dhe Lindjes”.

Asokohe ishte 1908-ta. Shqipëria lëngonte ende në një hon paqartësie dhe së bashku me perandorinë që e kishte sunduar prej shekujsh e shihte veten të syrgjynosur në një karantinë pa rrugëdalje të historisë. Përçarjet vëllavrasëse dhe dobësitë e karakterit të elitave të luhatura të mjedisit shqiptar ishin në sytë e Mid’hatit, kërcënimi më i madh ndaj kompaktësisë dhe besueshmërisë së vizionit të tij kombëtar.

Në revistën “Përpjekja shqiptare” që botonte Branko Merxhani gjejmë këto rreshta nga Lumo Skëndo, Mid’hat Frashëri (nënshkruar dyshe):

“Elita, a nuk duhet të ketë për qëllim përmirësimin e vetes së saj, fitimin e virtytit, karakterit dhe diturisë? A është e mundur që njeriu, kjo krijesë, që i thotë vetes me mend, të rrojë e hequr zvarrë prej rrethanash materiale, prej dorës së verbër të ngjarjeve, pa ndjerë, pa manifestuar asnjë reaksion, asnjë sforcim, pa mbrojtur veten? A është e mundur të rrojë njeriu, të themi më mirë: të rrojmë ne, pa parë, pa vështruar, pa menduar, pa gjykuar, pa punuar? Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordiner, duhet të kuptojnë përgjegjësinë e tyre”.

I bindur për urgjencën e përbashkimit, Mid’hat Frashëri nuk ngurron t’i hapë udhë alfabetit “Bashkimi”, përpunuar nga françeskanët e Shkodrës.

Që Europa të mos mbaronte në Budapest, por të fillonte më së paku, apo të përfundonte më së paku në Shqipëri, shqiptarët duhet të dëshmonin se të gjithë sëbashku se donin të flisnin një shqipe të vetme dhe një shqipe europiane.

“Kështu u sos” – dëshmon ai vite më vonë, më 1937, – kongres’i Manastirit dhe kështu u ndanë shqiptarëtë duke mbajturë në zëmrë të tyre një kujtim të paharuarë nga këto të dhjetë ditë të shkuara më një të kremte që s’e kishin parë kurrë gjet më sot.”

Ideja e tij fikse e përbashkimit nën një alfabet dhe një flamur për të mirën e përbashkët e çoi Mid’hat Frashërin në tryezën e firmëtarëve të Pavarësisë, delegat në Kuvendin e Vlorës nga tri rajone domethënëse të viseve stërgjyshore i zgjedhur, Peja, Elbasani dhe Përmeti.
“Lëvizja për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nuk është kurrgjë tjetër, veçse vijimi i rregullt i lidhjes shqiptare të Prizrenit. Asgjë të japim nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë”, shkruan ai, i cili hyn në politikën dhe përpjekjen shtet ndërtuese në Shqipëri nga dera e madhe e ambicieve më të larta për kombin dhe për vendin e tij.
“Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta politike e kafeneve, t’i shtyjmë në studim dhe në merak për çdosënd që i përket Shqipërisë dhe shqitparizmës sepse po qe se nuk e zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund të kemi as Shqipëri, as shqiptarë.”
Sqimatar me nam dhe burrë elegant me damkë në Shqipërinë e kohës, ai është qysh i ri edhe fizikisht një shenjë kundërshtie për bashkëkohësinë e vetë. Mbajtja e gojës, siç vetë ai e shkruante, që nganjëherë natyra ua vë si barrë oratorëve të mëdhenj, kthehet tek ai nga një defekt, në një aset të elegancës dhe ç’është më e admirueshmja tek personazhi i Mit’hat Frashërit është se ai e sprovon auto ironinë në shkallën më të lartë të rafinimit dhe është jo rastësisht më popullori ndër të gjithë të famshmit e kohës.
I pashmangshëm këtu pranë tij, përshkrimi që ai i bën vetvetes në kujtimet e vitit 1912. “Po mbarojmë tek Mit’hat bej Frashëri, ministri i Punëve Botore. Në mes të 30 dhe 35, i gjatë dhe sykaltër, rri me një xhaketë udhëtimi me kollanë në mes dhe gjithnjë me pështjellka në këmbë. Pas Myfitit dhe Gurakuqit, Mit’hati është i treti që i mbahet goja. Kur flet, po i treti edhe nga shkalla e kësaj të mete. Në xhep ka gjithnjë një kartë dhe kalem e shumë e shohin se ç’shkruan, se ç’shënon. S’do mysafirë dhe qahet që nuk e lënë të qetë në mëngjes të shkruajë dhe të punojë. Shumë herë thotë, të gjithë ata që nuk më duan, venë me smirë, por dhe ata që më duan, shpeshherë gënjehen kur presin prej meje një kundërshtim të verbër ndaj qeverisë.”

I pirur që në krye të herës të vetëvritet politikisht dhe shoqërisht, Mit’hat Frashëri nuk i negocion bindjet e tij. Në Vlorë e izolojnë, e nxjerrin madje nga shtëpia e siç e dëshmon vetë, pa të ardhura, rron me dy këmisha me jakë të ngrirë celuloze, një xhaketë angleze dhe dy palë veshmbathje. Është pikërisht ai që e cilëson me një anakronizëm profetik, lëvizjen haxhiqamiliste si shfaqjen e parë të lëvizjes bolshevike në Europë dhe po ai që lëshon alarmin, duke u bërë një nga pararendësit e ruajtjes së trashëgimisë kulturore për rrezikun e humbjes së vlerave tona kombëtare.
“Çdo njeri që mendohet pak e që kujdeset për rrojtjen e këtij vendi të mjerë, dëshiron të shohë të mbështillen e të vihen në rregull makar ato gjëra të paktë që kanë mundur të shpëtojnë nga zjarri e nga armiqësia e njerëzve, të mos lihen në dhëmbët e minjve ose në pikat e lagështirës.”
Tri dekada më vonë është përsëri ai, që pa marrë parasysh drobitjen që i sjell mërgimi, vë kusht – dhe këtë është mirë ta dëgjojnë të gjithë ata, që pasi e kanë baltosur për shtatë dekada, sot mbajnë në injorancë buzët rrudhur, – vë kusht spastrimin e figurave të kompromentuara me pushtuesit nazifashistë nga çdo ndihmë politike dhe aktivitet kundër regjimit komunist të Tiranës.
Mit’hat Frashëri ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Sa herë që qarqe të caktuara, brenda apo jashtë vendit, yshtnin këtë apo atë taraf, fetar, social apo politik, në Shqipëri, për të mbjellë përçarjen, ai shfaqej menjëherë si armiku i tyre natyral.
Është ai që nxjerr në pah, më shumë se kushdo tjetër, rolin madhor dhe esencial të elitës së krishterë ortodokse shqiptare në luftën për Pavarësi, në dy broshura, “Popullsia e Epirit” dhe “Çështja e Epirit”, ndërkohë që autorë të tjerë të së njëjtës sërë, por jo të të njëjtit ideal, e shtrembëronin realitetin për të lehtësuar copëtimin e vendit.
Të lë pa frymë pozicionimi i tij për vënien në sytë e botës së qytetëruar të dramës, të tragjedisë së popullsive myslimane dhe shqiptare të Çamërisë, të zhveshura e të zvetënuara nga çdo e drejtë themeltare, njerëzore dhe materiale, vetëm për shkak të etnisë dhe të besimit të tyre.
Raportet e tij si ministër fuqiplotë në Athine dhe beteja e tij juridike dhe politike në Lidhjen e Kombeve për mbrojtjen e këtyre të drejtave, nuk e shfaqin Mit’hat Frashërin vetëm si mbrojtës të elementit shqiptar të keqtrajtuar jashtë kufijve, por edhe si një flamurmbajtës të shënuar, të të drejtave të minoriteteve, të dinjitetit të njeriut, të lirive të tij themelore, pa dallim etnie, pa dallim feje.
Shumë prekës – këtë përsëri duhet ta dëgjojnë, të gjithë ata të të cilëve sytë, hundët, goja, veshët u janë taposur me baltë nga 70 vjet propagandë karikaturizuese për Mit’hat Frashërin, – është homazhi i tij ndaj rinisë shqiptare dhe luftës së saj kundër armikut dhe po ashtu nderimi që ai i bën, fjalët e tij, 30 mijë dëshmorëve të atdheut, ndonëse sipas tij, liria e Shqipërisë u uzurpua pas kësaj lufte.
Dhe ja çfarë thotë në artikullin, “Përpjekja e Shqipërisë”, botuar në gazetën “Flamuri”, pikërisht ai, udhëheqësi i Ballit Kombëtar: “Në fakt, më shumë se 400 fshatra dhe shumë lagje të qyteteve u shndërruan në gërmadha. Mijëra e mijëra banorë mbetën pa strehë, pa të ardhme. Ende sot, shihen rrënimet e këtyre shkatërrimeve dhe varret e të rënëve, nga Peja, në Gjakove, deri në Shkodër, Tiranë, Elbasan dhe në gjithë jugun e vendit, rreth 30 mijë luftëtarë e viktima të rënë, nuk do t’i shohin më familjet e tyre, as atdheun e tyre. Ata u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë!”.
Sikur të mos ishte për asgjë tjetër, Mit’hat Frashëri meriton mirënjohjen tonë në shprehinë e saj më gjenuine, sepse është bartës i ndershmërisë intelektuale në pohimin e të vërtetave të veta, pavarësisht çmimit që ato kanë.
Shumë mund të kenë parë në vendosmërinë e Mit’hat Frashërit arrogancë; në qartësinë e palëkundshme të tij, kokëfortësi; në përulësinë dhe vetminë e tij, tërheqje; në patriotizmin e tij, irredentizëm; në kujdesin dhe vetëpërmbajtjen, konservatorizëm; në besën ndaj aleancave të natyrshme me “Republikën e madhe amerikane” siç e quante ai, besëthyerje ndaj interesave të mbijetesës së kombit.
Virtytet e tij të vërtetuara apo mangësitë e hamendësuara, dobësitë apo theoritë, të gjitha këto e bëjnë Mit’hat Frashërin në fakt, një personalitet pa të dytë në historinë e elitave, përgjithësisht të paqëndrueshme shqiptare.
Ky është Mit’hat Frashëri, i cili prej nëndheut matanë oqeanit, u nis për tu kthyer këtu ku gjendet sot, kur një ditë, dimër ka qenë, pothuajse një vit më parë, profesor Uran Butka dhe instituti i studimeve “Lumo Skëndo”, më parashtruan kërkesën për sjelljen në atdhe të eshtrave të tij.
Kthimi i këtyre eshtrave, në fakt është një borxh ndaj dikujt që një fjalë më detyron tua them me këtë rast atyre që ndihen të sëkëlldisur nga ky rikthim.
Mit’hat Frashëri, i dha Shqipërisë gjithçka kishte dhe gjithçka mundi.
Ëndërroi dhe punoi pa u lodhur për këtë vend. Gaboi, patjetër që edhe gaboi, por ndër tërë sa bëri edhe në gabim, as nuk bëri vetë dhe as nuk nxiti kurrë me gojën apo me penën e tij një krim.
Kështu që kush e sheh arkmortin e tij sot këtu, si një provokim ndaj një historie që e shkruajtën fitimtarët, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se sa krime, ndryshe nga Mit’hat Frashëri bën ata që e shkruan dhe na e mësuan ne me pahirin e gjysmë të vërtetës, historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos.
Ashtu sikundër, nga ana tjetër, kush gabimisht e sheh këtë arkmort dhe praninë time këtu si kryeministër në dritë, jo në hije, siç ishte zoti Mit’hat, si revansh simbolik ndaj fitimtarëve, ndërkohë që përcjellim në banesën e fundit një figurë shumë dimensionale të historisë së Shqipërisë, që ishte po, edhe udhëheqës i Ballit Kombëtar, – bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se çfarë faji të pashlyeshëm ndaj atdheut bën shumë ndjekës të asaj organizate që jo vetëm u rreshtuan në krah të armiqve gjakatarë të popullit, por u rreshtuan edhe kundër vetë Mit’hat Frashërit, i cili komitetit Shqipëria e lirë i shkruante shprehimisht: “Nuk mund të kemi në mesin tonë, njerëz që kanë lyer duart me gjak, duke bashkëpunuar me pushtuesit”.
Kështu që ky akt i kësaj qeverie gabimisht të supozuar nga përçarësit si shprehi e një pale të vjetër kundër një tjetër pale të vjetër, mbase vlen dhe për një reflektim.
Mjaft kemi arsyetuar dhe gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të gjykuar e të dënuar në mungesë. Jo nga një gjykatë, por nga gjyqi i pafundëm rraskapitës i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit.
Mjaft kemi trilluar e kemi shpifur pa arsyetuar dhe pa gjykuar në ndershmëri dhe në ndërgjegje.
Mjaft me përdorimin dhe shpërdorimin e atyre që nuk janë më, duke u vënë në gojë ç’nuk kurrë nuk kanë thënë dhe madje ç’nuk kurrë as mund të kenë menduar për t’i lëshuar pastaj si flakadanë të përçarjes.
Kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit nuk i merr askujt pjesën e tij të historisë e aq më pak, secilit prej nesh aftësinë e arsyetimit apo të gjykimit.
Një varr nuk e mbulon kurdoherë një njeri të vdekur.
Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma.
Nuk ka të bëjë zhdukja e turpit nëse ideja rron, kur ajo ide ngjall 1000 shpresa dhe entuziazëm tek të tjerët dhe bashkë këto janë jetë e vërtetë.
“Ujërat, rrëketë, përrenjtë duhen kanalizuar drejt mullirit të madh, që i thotë jetë kombëtare dhe shtetërore dhe jo të lihen që të largohen nga mulliri e të mbetet toka e tharë. Nëse i vëmë re jetës sonë historike, gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur jo nga mungesa e forcave, por nga shpërndarja e këtyre fuqive dhe nga të bërët shkatërrimtare të tyre.”
“Po pse rri kështu?” – na pyet prej 1915 dhe sot e gjithë ditën Lumo Skëndo. – “Më dukesh i turpëruar. Ke të drejtë, e kuptoj shkakun. Me të vërtetë duhet të jemi të turpëruar se, jo vetëm faji dhe turpi na zë të tërëve, po dhe kush na siguron se nga këto të meta s’kemi edhe ne pjesë? Meqenëse jemi një komb, një gjak, dhe një trup. Në faj, në të keq apo në të bardhë, jemi të shoqëruar, kemi të gjithë pjesë.
“Kërko për kombin tënd këtë madhëri dhe mbruj për të shpirtmadhësinë. Dhe më i parë se nga çdo gjë, bëhu një shembull i gjallë.”
E pra, Mit’hat Frashëri ishte dhe mbetet sot e gjithë ditën, një shembull i gjallë ndërkohë që shumëkush ndër ata që ishin dhe e përdorën si një shembull kundër të gjallëve, sot janë të vdekur dhe të pandërruar.
U prehtë në paqe, në nëndheun e Shqipërisë Mit’hat Beu e koha pastroftë më tutje baltën që më së pari, i nderuari shqiptar buzëhollë Aurel Plasari dhe unë mesa munda, filluam t’ia pastrojmë sot.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb