Dy vjet më parë, më 10 maj 2017, tek ne erdhi një grup prej 6 anëtarësh të Kongresit Amerikan, i drejtuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, kongresmeni Robert Goodlatte. Kongresmenët erdhën posaçërisht për pranverën e trazuar politike shqiptare dhe u takuan me të gjitha forcat tona politike, duke shprehur qëndrimet e tyre dhe dhënë këshilla të vlefshme për zgjidhjen e ngërçit të atëhershëm politik. Gjashtë anëtarë të Kongresit Amerikan nuk kishin ardhur kurrë më parë në vendin tonë. Ndërkohë sot, një nga anëtarët e Kongresit Amerikan, kongresmeni i mirënjohur tek ne Eliot Engëll, që nga data 3 janar 2019 është kryetari i Komisionit për Çështjet e Jashtme në Kongresin Amerikan. Në vijimësi ky personalitet i politikës së jashtme të SHBA-ve ka mbështetur vendin tonë dhe në veçanti forcat tona të djathta politike në mbi 15 vite tashmë. Ka dhënë realisht një kontribut të vyer, të jashtëzakonshëm si për Kosovën dhe për Shqipërinë. Është mik i madh i shqiptarëve.

Vërtet na do. Jo me këtë intensitet, por herë pas here edhe anëtarë të tjerë të Kongresit Amerikan ose senatorë të SHBA-ve (anëtarë të Senatit Amerikan), si kongresmenët Jim McGovern, Joe Courtney, Matt Gaetz, apo senatorët Orrin Hatch (president i Senatit), Gary Peters, Mark Kirk, Tom Cotton etj., kanë mbështetur vendin tonë dhe në veçanti bashkëpunimin e opozitës sonë për ndryshimet kushtetuese tre vjet më parë dhe nisjen e reformës në drejtësi. Si qytetarë, jemi gëzuar sinqerisht të gjithë nga mbështetja e personaliteteve amerikane ndaj opozitës sonë. Sepse një mbështetje e tillë do të thotë shumë. Ajo ia rrit opozitës imazhin në vend dhe e forcon këtë të fundit për të mbajtur akoma më shumë përgjegjëse qeverinë në veprimet e saj. Po tani? Ku janë kongresmenët dhe senatorët amerikanë?

Dikush mund të thotë se ata janë tepër të zënë me çështjet që mbulojnë. Por nuk është kështu. E gjithë politika amerikane, strukturat e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit janë në lëvizje të përhershme: vizita, takime, konferenca ‘online’, deklarata për shtyp, opinione në rrjete sociale. E tillë është politika amerikane: aktive kudo në botë. Po pse nuk shprehen kongresmenët dhe senatorët amerikanë për veprimet e opozitës sonë këto tre muajt e fundit? Nuk dinë gjë për to? Si zor, pse veprimin e pashoq të dorëzimit masiv të mandateve përfaqësuese në parlament dhe protestat e njëpasnjëshme i kanë përcjellë të gjitha mediat ndërkombëtare. E pra, ku është kongresmeni Elion Engell? Duke drejtuar prej afro pesë muajsh Komisionin për Çështjet e Jashtme në Kongresin Amerikan, Engell është kampion i përkrahjes së shumë lëvizjeve për liri dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme në vende të ndryshme të botës (në radhë të parë në Venezuelë, për shembull, duke kritikuar qëndrimin e Presidentit Maduro, por edhe në mjaft vende të tjera të trazuara në Azi, Afrikë dhe shtete të tjera në Amerikën Latine). Mirëpo ai ka zgjedhur heshtjen për ngjarjet e fundit në Shqipëri. Nuk është prononcuar as edhe me një rresht të vetëm ky mik i madh i vendit tonë dhe i shqiptarëve kudo në botë. Të njëjtën gjë, qëndrimin e heshtur, kanë zgjedhur edhe kongresmenët dhe senatorët e tjerë amerikanë. Reagon vetëm ambasada e SHBA-ve këtu në Tiranë, sepse është detyrë e saj, sa herë cenohet dhe rrezikohet siguria në vend dhe qetësia e qytetarëve.

Në dhjetor 2017, kongresmeni Engell priti në SHBA një nga dy drejtuesit e sotëm kryesorë të opozitës dhe përkrahu kontributin e opozitës në reformën në drejtësi. Përse ai nuk i pret më tani? Diçka ka ndodhur. Nuk mendoj se ka ndryshuar politika amerikane dhe interesat e saj për të përkrahur kauzat e lirisë dhe zgjedhjeve të lira kudo në botë. Kauza e progresit të Shqipërisë dhe shqiptarëve drejt familjes së madhe evropiane ka plot përkrahës dhe kampionë të saj dhe në Shtetet e Bashkuara. Mirëpo kam frikë të besoj se personalitetet e politikës amerikane nuk e gjejnë këtë kauzë në veprimet e opozitës së sotme të vetëpërjashtuar nga parlamenti. Prandaj dhe nuk e përkrahin. Përndryshe, nuk i mban asgjë (as janë të shitur, as të ndikuar nga konspiracioni sorosian apo, akoma dhe më pak, nga qeveria e sotme e Tiranës) të bëhen zëdhënës së kauzës së opozitës sonë sot në rrugë, në rast se do ta gjykonin se është kauzë e drejtë dhe në dobi të qytetarëve të vendit tonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb