Nga: XHEVAT MUSTAFA*

Për të kuptuar sa më shumë Erdoganin e sotëm, do të ish te mirë të ktheheshim pas, në të shkuarën, në fillimet e karrierës së tij si politikan dhe si pushtetar i lartë. FILLIM MARRAMENDËS Atëherë kur u krijua AKP, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, ajo hyri në arenën apo skenën politike të Turqisë me një sërë premtimesh masivisht joshëse, zemër e votërrëmbyese. Ndër më të rëndësishmet mes tyre ishin ato që kishin të bënin me rritjen e hapësirave dhe të funksionalitetit të demokracisë, me respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me shpejtimin e ritmeve të politikave integruese të Turqisë në Bashkimin Evropian. Krahas këtyre, u premtua me të madhe edhe lufta e fortë dhe e sinqertë për t’i dhënë fund korrupsionit në të gjitha nivelet e piramidës administrative, qeverisëse dhe shtetërore. Rreth 12 vjet më parë, kur u zgjodh për herë të parë, presidenti aktual Rexhep Taip Erdogan, i bëri të mbusheshin me gëzim, shpresa dhe iluzione edhe liderët e shumicës së vendeve të BE-së. Në atë kohë ai shihej dhe vlerësohej si njeriu i ardhur në kohën dhe vendin e duhur, që më në fund do të realizonte reformat politike dhe ekonomike, për të cilat paraardhësit e tij nga radhët e partive me traditë ishin treguar njëri më i paaftë se tjetri. Gjithashtu, duhet pranuar se në vitet e tyre të para, drejtuesit e AKP-së vepruan përgjithësisht në përputhje me premtimet elektorale dhe propagandistike të bëra. Prandaj, ishte krejt e natyrshme që të mbështeteshin masivisht prej ndjekësve të partisë e të lëvizjes së tyre. Por më pas, ndoshta si rrjedhojë e plotpushtetshmërisë, euforisë nga sukseset, sidomos në planin ekonomiko-financiar e social, me treguesit e lartë të rritjes ekonomike dhe të të ardhurave deri në 2.5 herë në krahasim me 10 vjet më parë, mund të thuhet se nisi edhe heqja e maskave nga Erdogani dhe bashkëpunëtorët e tij më besnikë dhe shfaqja prej tyre, me shumë gjasa, e fytyrave dhe qëllimeve të vërteta. DEHJE DHE TËRBIM PREJ SUKSESEVE Dihet se në të shkuarën e Turqisë, deri në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. të 20-të, roli i shtatmadhorisë për mbrojtjen e shtetit demokratik, ligjor dhe laik ishte me shumë rëndësi dhe i mbështetur në ligjet e këtij vendi. Me justifikimin e drejtë, në formën e jashtme të paraqitjes së tij, u paraqit propozimi për një rishikim në Kushtetutë, që do të bënte të mundur gjykimin në gjykatat civile edhe të oficerëve madhorë. Populli turk e mbështeti me 58% të votave në një referendum të mbajtur posaçërisht për këtë çështje. Por, ndryshe nga sa u premtua dhe dëshirohej nga shumica e qytetarëve, menjëherë pas çlirimit nga kontrolli dhe represioni i ushtrisë, Erdogani ndërmori një sulm të paparë ndaj elitës ushtarake, duke arrestuar shefat e shtatmadhorisë dhe me qindra gjeneralë dhe kolonelë. Kjo fushatë tronditi të gjithë ekuilibrat e krijuar deri atëherë. Më vonë, nga presioni i opozitës dhe medias, Erdogani u detyrua të nxirrte të pafajshëm nga burgjet shumicën e tyre. Megjithatë, qeverisja e drejtuar prej tij kishte marrë nën kontrollin e saj të gjitha institucionet drejtuese të vendit, duke i kthyer ato në një gjendje që nuk mund të funksiononin demokratikisht. Krahas këtyre, sistematikisht e gjithnjë e më hapur, u kryen veprime antiligjore dhe antidemokratike për privimin e pavarësisë së natyrshme e kushtetuese të gjyqësorit dhe për vënien e shtetit nën kontrollin e partisë e të kryeministrit. Në vitin 2011, pas zgjedhjes së tyre për herë të tretë në krye të vendit, Erdogani dhe bashkëpunëtorët e tij nisën një varg veprimtarish të tjera, edhe më flagrante, që binin ndesh me arritjet demokratike të gjer asaj kohe. Fjala është për nisjen e ushtrimit të një trysnie të ashpër ndaj medias; dhënien e kompetencave shtesë ndaj Shërbimit Informativ Kombëtar, hedhjen poshtë të një numri në rritje të vendimeve të dhëna prej gjyqësorit; kundërvënien hakmarrëse dhe të dhunshme ndaj atyre që i shfaqnin mendimet e tyre kundërshtuese publikisht e brenda kornizës demokratike ekzistuese etj. Këto dhe shumë e shumë veprimtari të tjera, fshehur apo justifikuar edhe pas betejës së ashpër politike me lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen, me të cilin në fillim kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt, po të analizohen me kujdes e transparencë, shprehin se sa shumë mbrapa ka rrëshqitur Turqia në raport me arritjet demokratike deri atëherë dhe me trashëgiminë e pasur të Ataturkut. SHTET LIGJOR APO AUTORITARIST? Të gjitha këto veprime sistematike e të ndërgjegjshme të Erdoganit dhe ekipit të bashkëpunëtorëve të tij, duke mos u ndalur dhe shqetësuar as nga kritikat e SHBA-ve e të BE-së, kanë bërë që Republika e Turqisë e këtyre viteve të fundit t’i largohet vazhdimisht të qenit një shtet demokratik, laik dhe i së drejtës. Nuk është e lehtë të mbulohet dhe e vështirë të kuptohet se Turqia e sotme është kthyer në një parti-shtet, deri në shfaqjen si një shtet që drejtohet në mënyrë të hapur autoritariste nga një njeri, nga Erdogani, që ka ambicie dhe dëshirë të ndihet i plotpushtetshëm dhe i pakritikueshëm si një sulltan. Nga ky këndvështrim duket se Erdogani ka si modele të kohës së tanishme edhe mikun e tij Putin dhe Rusinë. Këtë e shprehin edhe shpenzimet marramendëse për ndërtimin e ndërtesës presidenciale me 1150 dhoma dhe kosto rreth 650 milionë euro, për avionin personal të Erdoganit në vlerë rreth 1 miliard euro etj. Një fakt diskreditues për imazhin e tij në botë e çuditërisht apo paradoksalisht fare pak i ndjeshëm në vend, edhe në dy betejat zgjedhore të vitit 2014, është edhe skandali apo krimi ekonomik i 17 dhjetorit 2013 për pastrimin e rreth 1 miliard dollarëve. Në të ishte i përfshirë edhe djali i tij, Bilali, por drejtësia u mjaftua me arrestimin e fëmijëve të tre ministrave të kabinetit qeveritar “Erdogan”. Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan e humbi aq shumë vetëkontrollin, sa arriti në absurdin që të kërcënonte se do të ndalonte “YouTube”-in dhe “Facebook”-un në Turqi, pas zgjedhjeve komunale të 30 marsit 2014. Sebepi apo arsyeja: këto dy kompani kishin përhapur në mbarë vendin dhe botën njoftime dhe detaje rreth këtij skandali, sidomos regjistrimin telefonik të bisedës së tij me të birin. Ky akt i tij u bë shkas për të shpërthyer protesta masive në Stamboll, Ankara e qytete të tjera të vendit. Por edhe këto protesta të reja nuk patën ndikim për reflektim, kthesë dhe erozion në mbështetje tek Erdogani dhe partia e tij. Në shenjë hakmarrjeje dhe për të mbuluar me gjethe fiku këtë skandal, u shkarkuan dhe transferuan rreth 10 mijë punonjës të policisë si dhe të prokurorisë. Kjo “gjueti shtrigash” goditi kryesisht ata që kishin pasur lidhje me hetimin e skandalit në fjalë, por duke e justifikuar trashë këtë fushatë spastrimi si vazhdimësi e luftës dhe goditjeve ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes së Fetullah Gylenit. Më 15 dhjetor 2014 organizohen bastisje dhe arrestime të 23 gazetarëve dhe dy drejtuesve kryesorë të gazetës “Zaman” e të televizionit “Samyollu”. Kritikave nga SHBA si dhe të Shefes për Politiken e Jashtme në Bashkimin Europian, Federika Mogherini e të Komisionerit për Zgjerimin, Johanes Hahn, se kjo valë e re arrestimesh në mediat opozitare është në kundërshtim me vlerat europiane, Erdogan iu përgjigj më 18 dhjetor me arrogancën e tij, tashmë të njohur, se “Brukseli nuk ka të drejtë t’i japë leksione demokracie Ankarasë”. Një akt i ri i shkeljes nga policia të lirisë së mendimit dhe të fjalës u shënua më 24 dhjetor, me arrestimin e një nxënësi 16-vjeçar, në shkollën e tij, pse ishte shprehur se “nuk e njoh Erdoganin si president të vendit, por si udhëheqës të korrupsionit, mitmarrjes, vjedhjes dhe si pronar të një pallati presidencial, ndërtuar së fundi”. 2014-TA, VIT VENDIMESH DHE LOJËRASH TË RREZIKSHME Gjatë vitit 2014, duke vazhduar kursin e shkatërrimit të trashëgimisë së Mustafa Ataturkut e për islamizimin apo osmanizmin e Turqisë, si dhe për t’i bërë qefin shtresës përgjithësisht konservatore, fanatike islamiste e të pazhvilluar të popullsisë, që vazhdon t’i falë vota, mbështetje e pushtet, Erdogani mori disa veprime të reja, të papërtypshme, si nga opinioni masiv qytetar e intelektual në vend, ashtu edhe për BE-në dhe SHBA-të. Fjala është për përdorimin e shamisë nga vajzat qysh në klasën e pestë, për mësimin e osmanishtes në shkolla apo për ndërtimin e xhamive në komplekset e çdo universiteti. Duke vepruar më shumë si sulltan sesa si president i zgjedhur, Rexhep Taip Erdogan e ka orientuar politikën e Turqisë së sotme drejt vendeve me mbizotërim të fesë myslimane në botën arabe: Afrikë, Azi. Kështu ai ka dhënë dhe jep shkas e arsye të mendohet se mund të ketë si ëndërr apo dëshirë të brendshme krijimin e një perandorie të re islamike apo osmane, pse jo edhe në hartën e Sulltan Sulejmanit të shek. të 17- të. Duhet kujtuar se jo më larg se një vit më parë, më 17 dhjetor 2013, ai deklaroi se “vendet e Ballkanit i përkasin Turqisë”. Gjithashtu, edhe pse vazhdon të jetë vend anëtar në NATO dhe kandidat në BE, me veprime dhe deklarata, sidomos me vizitat e shpeshta të Putinit në Turqi brenda një kohe të shkurtër, me qëndrimet lidhur me embargon ndaj Rusisë dhe ndaj konfliktit me ISIS-in, duket se Turqia e tanishme, nën qeverisjen e Erdoganit e sipas strategjisë së tij, po u largohet vazhdimisht NATO-s dhe BE-së e po afrohet gjithnjë e më shumë me Rusinë, Kinën, Iranin dhe Indinë. Kjo lë hapësirë e jep arsye të mendohet edhe për mundësinë e krijimit të një aleance të re apo blloku të ri, për t’iu kundërvënë NATO-s dhe BE-së. Nëse ndodh kjo, atëherë Turqia nuk do të jetë më, si deri tani, faktor stabiliteti në rajon e më gjerë, por e kundërta, faktor destabiliteti përtej rajonal. Ndryshimi i kursit të Turqisë nga Erdogani ka dhënë rezultatet e pritshme edhe në rajonin e Ballkanit, pra, edhe në Shqipëri. Edhe pse me ardhjen në pushtet qeveria “Rama” e radhiti Turqinë në treshen e partnerëve strategjikë, marrëdhëniet mes dy vendeve janë pothuajse të ngrira. Mbledhjet e përbashkëta qeveritare nuk u realizuan dhe investimet turke në Shqipëri kanë ngelur ato që ishin. Dhe nuk ka se si të ndodhte ndryshe! Politika e Erdoganit në shumë drejtime tani nuk përputhet me politikat dhe objektivat e Shqipërisë si vend anëtar në NATO dhe si kandidate për anëtarësim në BE. KAMBANA ALARMI PËR FUNDIN E BUMIT EKONOMIK Është e logjikshme dhe e pritshme që trazirat politike dhe dyshimet për korrupsion kundër qeverisë të ndikojnë negativisht mbi ekonominë. Kjo u shpreh edhe me rënien e kursit të lirës turke menjëherë pas valës së fundit të arrestimeve të gazetarëve më 15 dhjetor 2014. Vendi, që deri vitin e kaluar bëri bujë me një rritje mesatare ekonomike prej deri 9% në vit, duhet të kënaqet në fundvitin 2014 edhe me më pak se 3,3% rritje, sa ishte parashikuar në planin qeveritar në fillim të këtij viti. Lajmet e pakëndshme vazhdojnë: papunësia arriti në shtator me 10,7% ose kufirin më të lartë që prej katër vjetësh; shitja e automobilave ra në 9 muajt e parë të vitit rreth 19% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2013; investitorët e mëdhenj të huaj dhe turq po i tërheqin vazhdimisht paratë e tyre nga Stambolli dhe po i investojnë në SHBA, me shpresë për rritjen e interesit… Përderisa ekonomia ishte deri tani një nga “aleatët” më të fortë, ka shumë të ngjarë që rëndimi i gjendjes ekonomike në vend të ketë efekt më të madh reflektues, gërryes apo shembës ndaj Erdoganit dhe mbretërimit të tij sesa kartonët e opozitës në parlament dhe protestat e saj nëpër sheshe.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: