TIRANË

Kriza e mjekëve është e temë e diskutimit në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në News24. I ftuar në studio, gazetari Erjon Skëndaj, denoncoi përmes dokumenteve zyrtare, atë ç’ka deri dje konsiderohej si “Maja e Olimpit” për mjekët e rinj ekselentë, specializimi afatgjatë në mjekësi për vitin 2019 ka bërë fatlumë edhe mjekë me mesatare 6 madje edhe nën 6.

Përmes insertit të përgatitur dokumentet origjinale të dala nga procesi i konkurrimit dëshmojnë se mes fituesve ka edhe mjek të përgjithshëm me mesatare 5.8.

Burime nga brenda procesit pohuan për News24 se për vitin 2019 janë vënë në dispozicion nga ministria 300 kuota specializimesh në mjekësi por si asnjëherë më parë interesi i mjekëve të rinj ka qenë nën kuota, 285 konkurrentë. Për më tepër 42 aplikantë e kanë lënë garën në mes duke u tërhequr nga konkursi ose më keq duke mos u paraqitur.

Në listën përmbledhëse të meritës ku përfshihen  rezultatet konsultative të intervistës, testimit të informatizuar dhe notës mesatere në 47 raste kandidatët kanë mesatare nga 6 deri në 6.9 ndërsa në dy raste me mesatare 5.8.

Ky fakt dëshmon qartë se ministria ka hequr kriterin bazë, atë të notës mesatare duke hapur dyert për të gjithë mjekët që kanë një diplomë mjeku të përgjithshëm në xhep pavarësisht mesatares së ulët.

Skandali shtohet me listën e dytë që tregon shpërndarjen e mjekëve sipas përzgjedhjes së degëve të specializimit ku gjejmë mjekë me mesatare 6.6 për kirurgji apo mjek me mesatare 5.8 që kanë fituar të drejtën e specializimit në degën psikiatri për fëmijë.

Ndërkohë lista me emrat e specializantëve të rinj ka edhe kuotat e kërkuara nga Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme, ku bie në sy niveli tejet i ulët i mesatares.

Pjesë nga biseda:

Mjeku Genti Stroni:  Sigurisht vite më parë  ka qenë një konkurrencë shumë e lartë dhe në specializime shkonin ato studentë që kishin mesatare dhe një ego të tyre. Ata pretendonin edhe për degët. Konkurrenca ishte shumë shumë e madhe. Sigurisht këto shifra që ju thoni, por nuk di specifika dhe këto janë më se të vërteta.

Gazetari Skëndaj: Ka patur një dyndje mjekësh, të cilët kërkonin specializim në mjekësi. Kishte mos gabohem 1800 kërkesa për 350 kuota. Të gjithë që kanë hyrë të gjithë e kanë fituar, për mua ky është një skandal. Mjekët po ikin, ta dëgjojë kryeministri dhe ministri. Ka studentë me mesatare 9 dhe me dhjetë nuk ka. Me 6.6 kanë fituar në kirurgji. Ata kanë fituar sepse ministria ka hequr kriterin e notës. kemi në urgjencë me notë mesatare 6.09.

(n.m/balkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb