NGA ARMELA FERKO*

Kjo pyetje me erdhi në mendje pasi pashë videon e rregjistruar në Vlorë, që tregon dramën e një familjeje në krizë, por edhe dramën e gjithë shoqërisë shqiptare! Çdo fëmijë rritet me dy perceptime të ndryshme për konceptin e të mirës dhe të keqes. Secili prej nesh që në vegjëli ka mësuar të zhvillojë imazhin e vet për heroin (që shpëton fëmijët dhe gjithë botën nga e keqja) dhe personazhin negativ (që shkatërron gjithcka, thjesht me prezencën e tij). Është po kaq e vërtetë që cdo fëmijë heroin më së shumti e sheh tek babai, figura e mashkullit të fortë por edhe të butë njëkohësisht, i aftë ta mbrojë nga cdo e keqe, e po kaq i aftë të falë shumë dashuri. Mashkulli, që së pari është shpatulla ku mbështesin kokën nëna dhe fëmijët. Por ky imazh vlen për familjet e lumtura!
Sigurisht që ky stereotip nuk vlen për rastin e Ilir Pajës, burri që dhunoi barbarisht ish-bashkëshorten në sy të fëmijëve në Vlorë. Një tjetër video skandaloze që bëri xhiron në rrjete sociale e media në gjithë vendin tonë, por edhe më gjerë se kaq, duke mbjellë dhimbje dhe indinjatë për atë cfarë paraqiste ajo skenë. Një burrë I krekosur, përpara dhjetra syresh, i mbushur me mllëf dhe krenari primitive, që derdhte gjithë urrejtjen ndaj nënës së fëmijëve të tij, dy prej të cilëve të pranishëm, prej faktit se ajo “guxonte” të pretendonte që të niste një punë, guxonte të përpiqej të siguronte të ardhura për engjëjt e saj, duke shkelur kështu mbi krenarinë e sëmurë mashkullore.

Në këtë skenë janë 4 kategori personazhesh: së pari, agresori! Një njeri i mbrujtur me mentalitetin patriarkal, që ende mendon se ish-bashkëshortja I përket, si të ishte një pronë…po ashtu edhe jeta e dinjiteti i saj. Një njeri që pasiguritë e veta i shfryn në mënyrë kafshërore mbi një grua, me të cilën pak kohë më parë ndante të njëjtin shtrat. Një njeri që për asnjë moment të vetëm nuk mendon për 2 fëmijët e tij që ndodheshin aty dhe përpiqeshin të mbronin të ëmën, ndërsa ai e grushtonte dhe shkelmonte.
Gruaja, nëna e 3 fëmijëve, e dhunuara, është kategoria tjetër e personazheve në këtë skenë dhune. Ajo është imazhi i gruas “kokëulur” që nuk bën asnjë rezistencë ndërsa goditet nga ish bashkëshorti…duron dhimbjen fizike, turpin, damkosjen…dhe thjesht qan! Mblidhet si një fëmijë pranë ëngjëjve të saj..dhe thjesht qan!

Por ndoshta më të prekurit nga kjo ngjarje janë dy fëmijët e ciftit. Ata panë sesi nëna u rrah nga I ati, ai që duhej të ishte heroi I tyre! Në ato pak caste ata u rritën dhe u përpoqën që këtë figurë “heroi” ta bënin vetë ata! Duhej ta mbronin nënën e tyre! Ndërsa morën një mesazh të dhimbshëm, “të shpëtojmë nga I keqi, nga vetë babai”. E ndërsa mendon gjithë këtë, të lind pyetja: A mund te harrojne dot ndonjehere ata sesi u dhunua dhe poshterua nena e tyre, ne syte e disa “meshkujve” te tjere…që ndoshta thellë brenda vetes kanë menduar: “Kushedi c’ka bere ajo qe po e rreh ai!”. Pikërisht kjo është kategoria e katërt e personazheve. Një përpjekje e lehtë për ta larguar Ilir Pajën nga gruaja, por më shumë të pozicionuar në rolin e sehirxhinjve. Kjo, fatkeqësisht, e karakterizon ende mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Të gjithë ngrejnë duart përpara një skene kur një burrë dhunon gruan apo fëmijën, sepse të gjithë mendojnë se kjo është cështje e tyre e brendshme!

E nëse flasim për pas-ngjarjen, vlen të theksohet se nëse videoja nuk do të ishte publikuar, e gjithë kjo do kishte kaluar në heshtje si cdo gjë që “anomalisht” quhet normale në shoqërine tonë, shpesh të mbrapshtë! Ky mund të quhet “shansi” i kësaj gruaje…po ato qindra gra apo fëmijë të tjerë?!
Kjo është vetëm maja e ajsbergut! Cdo ditë ka fëmijë në gjithë vendin që shuajnë njëherë e përgjithmonë imazhin e “heroit”, duke e zëvendsësuar atë me imazhin e “dhunuesit” të nënës së tyre, ndërsa pre e dhunës në shumë raste janë edhe vetë ata! Janë pikërisht ata që kanë prirjen të bëhen dhunues kur rriten! Cdo ditë ka gra që dhunohen, vriten, fyhen e paragjykohen. Ka gra që e pranojnë dhunën në heshtje, si pjesë të “shortit” që i ra për ta vuajtur. Ka gra nuk ushqejnë më dashuri, por vetëm neveri për njëriun me të cilin kalojnë jetën, e sërish zgjedhin të qendrojnë aty, në emër të nderit. Cdo ditë ka “sehirxhinj” që shohin një grua të shtypet, e gjithsesi e cilësojnë normale, “sepse ndodh edhe kështu, burri të rreh!”.
Një mentalitet primitiv që mbizotëron fuqishëm, vecanërisht në zonat rurale, që e quan gruan fajtore edhe kur ajo dhunohet.
E quan fajtore edhe kur bashkëshorti pi, tradhëton, etj! Një gjë është e sigurtë, gruaja e ka gjithë fajin! Një mentalitet I vjetër që argumentohet me një element, që cilësohet “vlerë” në shoqërinë tonë: morali! Burri e mbron moralin, gruaja e shkatërron atë! Le të shtypim në emër të moralit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: