Fabio Kuajliarela si i madhi Gabriel Omar Batistuta. Me golin e shënuar sot kundër Udinezes nga pika e bardhë e penalltisë, sulmuesi i Sampdorias barazon rekordin e jashtëzakonshëm të bomberit argjentinas, që në sezonin 1994-1995, shënoi në 11 takime radhazi (13 gola në total) me fanelën e Fiorentinës. Një rekord që rezistonte prej 24 vitesh në Apenine. Kuajliarela më 31 janar do të mbushë 36 vjeç, hyn kështu në historinë e futbollit italian. Golat në total deri më tani janë 16.

Batistuta kishte përmirësuar asokohe rekordin e Paskutit, anësori i majtë i Bolonjës, që në sezonin 1962-63 kishte shënuar 12 gola në 10 javët e para të kampionatit. Tashmë i erdhi radha sulmuesit napoletan që të barazojë rekordin e Batigol. Gjithashtu Kuajliarela ka mundësi ta thyejë rekordin në ndeshjen e radhës, kur në qytetin e tij do të luhet Napoli-Sampdoria.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb