Nga: OLA MITRE

TIRANE – Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe miratuar udhëzimin për kualifikimin e mësuesve, i cili përcakton se procesi do të zhvillohet në periudhën mars-prill. Kualifikimi është i vlefshëm për kategorizimin e mësuesve, në bazë të të cilit përfitohet dhe shtesa në pagë, ndërkohë që procedurave të tij i nënshtrohen të gjithë ata mësues të cilët, deri më 3l dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet e vjetërsisë së punës në arsim. Më konkretisht, ata duhet të kenë të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues i kualifikuar”, ndërsa të paktën 10 vjet punë dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”, për kategorinë “mësues specialist”. Ndërkohë që, për kategorinë “mësues mjeshtër”, kandidatët duhet të kenë të paktën 20 vjet punë, dhe të paktën l0 vjet punë pas marrjes së kategorisë “mësues specialist”. Udhëzimi i MAS saktëson gjithashtu se, duke filluar nga viti 2014-2015 e në vazhdim, çdo kandidat ka të drejtë të aplikojë për të fituar kategorinë e kualifikimit, nëse ka kryer të paktën 3 ditë trajnimi në vit kalendarik, të cilat janë të barasvlershme me l8 orë trajnimi, të pasqyruara me 6 kredite. Ata punonjës arsimorë që kanë mospërputhje midis vjetërsisë së punës në arsim dhe kategorisë së kualifikimit, kualifikohen për kategorinë më të ulët që nuk e kanë fituar ende. Ndërkaq, udhëzimi saktëson se, nëse një kandidat nuk merr pjesë në kualifikim ose nuk kualifikohet, ka të drejtë të marrë pjesë në vitin pasardhës, por këtyre procedurave nuk mund t’u nënshtrohesh më tepër se tri herë. Sipas udhëzimit të MAS, kandidati ka të drejtë të hyjë në procesin e kualifikimit për çdo kategori jo më shumë se tri herë.
Programet dhe testet
Udhëzimi saktëson se provimi do bazohet në programet e kualifikimit, të cilat u vihen në dispozicion çdo kandidati e që kryesisht bazohen në të gjitha programet shkollore sipas profilit përkatës. Sipas MAS, një test i provimit të kualifikimit përbëhet nga dy pjesë: Pjesa e parë, që përmban dokumentet zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, ndërsa pjesa e dytë përfshin përmbajtjen shkencore të lëndës, sipas programit të kualifikimit përkatës.
Vlerësimi & Paga
Ndërkaq, çdo kandidat duhet të dorëzojë edhe disa dokumente, që përbëjnë portofolin e tij personal dhe atë profesional. Ai do të jetë pjesë e vlerësimit për pikët përfundimtare, ndërkohë që detajet i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit. Ndërkaq, vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, ku futen pikët e portofolit dhe bonuset e pjesës së parë dhe pjesës së dytë të testit. Sipas udhëzimit, mësuesit vlerësohen me pesë shkallë: A, B, C, D, E, që i korrespondojnë përkatësisht vlerësimit me fjalët: “shkëlqyeshëm”; “shumë mirë”, “mirë”, “mjaftueshëm” dhe “dobët”. Mbështetur në rezultatet përfundimtare të kandidatëve, Drejtoria e Shërbimeve të Brendshme në MAS, u dërgon njësive vendore arsimore shkresën për shtesën e pagës, ndërsa për mësuesit e shkollave profesionale, këtë procedurë e kryen Drejtoria e Shërbimeve të Bren-dshme në MAS, që duhet ta dërgojë shkresën pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: