LIGA E KAMPIONEVE– Katër grupet e para kanë luajtur ndeshjet e tyre të parafundit, ndërsa veç Realit dhe Borusias që ishin kualifikuar që pas ndeshjes së katërt, sot e ka prerë biletën për në çerekfinale dhe Atletiko e Madridit në grupin A dhe Arsenali në grupin D. Atletiko e Madridit arriti të shkatërrojë 4-0 Olimpiakosin në “Visente Kalderon”, falë një tregolëshi të kroatit Mario Manxukiç, ndërsa kryeson grupin me 12 pikë pas pesë ndeshjesh.

Në përballjen tjetër të këtij grupi, Juventusi ka bërë detyrën në Suedi ndaj Malmos, ndonëse ka vuajtur jo pak për të gjetur rrugën e rrjetës. Në fillim të pjesës së dytë ka shënuar Fernando Jorente, ndërsa e ka mbyllur me gol këtë pjesë Karlos Tevez, duke i çuar bardhezinjtë në kuotën e 9 pikëve, 3 më shumë se Olimpiakosi i vendit të tretë, ndërsa në ndeshjen e fundit me Atletikon i mjafton vetëm barazimi për të kaluar grupin. Në grupin B Reali, i kualifikuar, ka mposhtur Bazelin në Zvicër, ndërsa me barazimin mes Ludogoretsit dhe Liverpulit, beteja për vendin e dytë në këtë grup është bërë vërtet e fortë, ku gjithçka do të përcaktohet në ndeshjen e fundit. Edhe në grupin C rezultatet e sotme kanë komplikuar gjithçka.

E sigurt është që Benfika është eliminuar, ndërsa Leverkuseni që u mposht nga Monako 0-1 dhe Zeniti do të luftojnë për dy vendet që të kalojnë në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë. Grupi D është grupi i vetëm ku gjithçka është përcaktuar. Borusia e Dortmundit dhe Arsenali kanë siguruar dy vendet e para dhe vijojnë më tej në Ligën e Kampioneve, Anderlehti i Besnik Hasit falë fitores 2-0 ndaj Gallatasarajit ka arritur të sigurojë vendin e tretë dhe për pasojë kalimin në Ligën e Europës, ndërsa turqit eliminohen me turp nga grupi, ndonëse ishin kuotuar në fillim si ekipi që mund të shqetësonte Arsenalin dhe Borusian.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb