TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka folur sot për çështjen e kufijve dhe idenë e hedhur nga Presidenti i Kosovës. Ndonëse nuk ka marrë një qëndrim pro ose kundër, Rama tha se kjo është një çështje me një peshë të jashtëzakonshme.

Në emisionin “Open” në TCH, kreu i qeverisë shqiptare nuk ka pranuar të marrë një pozicion ndaj dilemës të korrigjimit apo jo të kufijve Kosovë-Serbi dhe deklaroi se ajo është një ide dhe jo një platformë, duke preferuar tua lërë në dorë aktorëve të shtetit të Kosovës.

“Besoj që nuk bëhet fjalë për një çështje të ditës, bëhet fjalë për një çështje të historisë sonë të përbashkët por ku i takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve te të Kosovës të punojnë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarët që më takon të flas dhe të bëj komentatorin, ndërkohë që nga njëra anë në Kosovë ka një debat mbi një ide por jo mbi një platformë dhe nga ana tjetër si përfaqësues i qeverisë së Shqipërisë ndiej detyrimin të respektoj Kosovën dhe autoritetet e saj.
Po diskutohet një çështje shumë komplekse, një çështje shumë më e rëndësishme se sa ato që flasin politikanët shqiptarë është e paudhë për mua që të bëj komentatorin”, tha kryeministri.

Rama theksoi se Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe s’mund të bëjë tutorin e saj.
“Është një qëndrim dhe është një qëndrim shumë i qartë. Shqipëria ka detyrimin të mbështesë fuqimisht Kosovën dhe në detyrimin për të mbështetur fuqimisht Kosovën ka detyrën të presë dhe të ndjekë me shumë vëmendje se çfarë përfaqësuesit e Kosovës mendojnë dhe për çfarë janë në gjendje të bien dhe të mos bien dakord. Nuk mund të bëjmë tutorin e Kosovës, nuk më ka pëlqyer kur e kanë bërë të tjerët dhe për më tepër kjo është një çështje ku luhet fati i kombit shqiptar për shumë vite që vijnë”, deklaroi Rama.

Ai justifikoi mungesën e një qëndrimi të deritanishëm të tij me faktin se çështja ka një peshë të madhe dhe se është vetëm një ide.
“Çfarë do të thotë të jesh pro apo kundër korrigjimit të kufijve do të thotë të jesh pro ose kundër një ideje që është shumë pak. Mund të jetë një ide për të nisur një dialog të brendshëm në Kosovë mes aktorëve por s’mund të jetë kurrsesi një platformë kombëtare dhe arsye për t’u ndarë në një turravrap që na ka bërë qesharak.
E imja nuk është as indiferencë, as të qenit pro e as të qenit kundër të kësaj ideje. Ka të bëjë me vetëdijen se çështja është shumë e rëndë, ka një peshë të jashtëzakonshme dhe qasja duhet të jetë e jashtëzakonshme dhe jo banale”, tha kryeministri.

Gjithsesi ai pranoi se ka biseduar për këtë çështje me aktorët politikë të Kosovës dhe faktorët ndërkombëtarë.
“Kam folur me një pjesë të madhe të atyre që kanë dashur të flasin me mua. Me ata që janë në Kosovë, me ata që janë pjesë e kësaj bote vendimmarrëse, qofshin partnerë amerikane, etj. dhe unë kam besimin se jemi para një shansi historik”, deklaroi kryeministri.

Po ashtu ai tha se të gjithë shqiptarët duhet t’i bëjnë pyetjen vetes për ‘bashkimin kombëtar’.
“Reduktimi i debatit në këtë pikë është banalitet. Ne si shqiptarë duhet të shohim më larg se kjo ide. Pse më bëni pyetjen më periferike. Më pyesni; ku është bashkimi kombëtar në këtë mes? Këtu nis biseda. Unë ngrita një nga shumë pyetjet që ne duhet t’ja ngremë vetes në këtë moment. Kur flasim për bashkim kombëtar flasim për bashkim në Bel. Në këtë moment jemi përpara si vëllazëri shqiptare të një situate ku duhet të përgatisim një dialog që s’mund të jete ecejake”, -shtoi Rama.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb