Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në fjalën e tij në mbledhjen e përbashkët të ligjvënësve nga Shqipëria e Kosova në Prishtinë, tha se është i kënaqur që marrëveshjet e firmosura mes Tiranës e Prishtinës kanë dhënë rezultate reale për qytetarët.
Kurti deklaroi se Serbia ka humbur kontrollin dhe bën akte terroriste. Ai tha se aktet terroriste të Serbisë në Kosovë tregojnë dobësinë e Beogradit. Sipas Kurtit, për shkak të agresionit të Serbisë mbi Kosovën, anëtarësimi i shtetit të Kosovës në NATO është i domosdoshëm.
Albin Kurti: Kënaqësi që sot bëjmë bilancin e marrëveshjeve të përbashkëta. Më bëhet qejfi që marrëveshjet tona kanë pasur sukses. Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri kanë pasur rezultate të prekshme për qytetarët. Kufiri ynë është si kufiri mes dy barkusheve të zemrës, ka thënë prozatori ynë Primo Shllaku. Shqiptarët nën Serbi janë komuniteti më i diskriminuar në Europë, prandaj Shqipëria e Kosova duhet t’i mbrojnë. Shqiptarët nuk janë fajtorë se janë autoktonë. Ne kemi ndarë 4 milionë euro për Luginën e Preshevës, uroj që këtë shembull ta ndjekë dhe Shqipëria.
Ne në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe kandidate për të qenë në BE. Kosova ka aplikuar për të qenë pjesë e BE, por agresioni serb vazhdon dhe 5 vende të BE nuk na njohin. Ndërsa, NATO është në Kosovë e Kosova nuk është në NATO. Ne do anëtarësohemi në NATO për t’u bërë më të fortë. Serbia e ka bërë urgjente anëtarësimin e Kosovës në NATO. FSK është sot një ushtri profesionale, që plotëson standarde europiane. Duhet t’ju japim hapësirë grave, rinisë, diasporës dhe zhvillimit të fshatit e malësive tona. Serbia ka humbur kontrollin e bën akte terroriste, por ky është fundi i tyre. Aktet terroriste tregojnë pafuqinë e Beogradit.
(d.xh-Balkanweb)