Gjigandi kinez i telekomunikacionit ka ngritur padi kundër qeverisë amerikane për shkak të një ndalese që i kufizon agjencitë federale të përdorin produktet e tij. Huawei tha se SHBA-ja nuk ka mundur të sjellë prova për të mbështetur urdhërin e ndalimit dhe theksoi se kompania nuk ka lidhje me qeverinë kineze.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndaluar përdorimin e produkteve të kompanisë Huawei për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare. SHBA ka lobuar gjithashtu edhe tek aleatët që t’i shmangin këto produkte. Gjithashtu, ka ngritur një mori akuzash penale kundër kompanisë, të cilat përfshijnë mashtrimin bankar dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile. Huawei është një nga ofruesit më të mëdhenj të pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikacionit në botë.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësim se Qeveria e Kinës mund ta përdorë teknologjinë për të zgjeruar kapacitetet e spiunazhit edhe pse firma këmbëngul se nuk ka kontroll qeveritar.

Sakaq, shefja e financës së Huawei, Meng Wanzhou, ka ngritur padi ndaj Kanadasë në lidhje me arrestimin e saj në aeroportin e Vancouver vitin e kaluar me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Menaxherja dhe vajza e themeluesit të grupit u arrestua në dhjetor nën akuzën  që ka shkelur sanksionet amerikane kundër Iranit. Ajo u lira me kusht me një garanci pasurore prej 10 milionë dollarësh kanadezë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb