Urrejtja që shfaqet në mediat sociale mund të kalojë shpejt në dhunë në realitet. Viktima më e re -një 14 vjeçare në Indonezi. Në luftën kundër ngacmimeve në internet, ekspertët këshillojnë masa të hershme parandalimi.

Edhe fëmijët mund të jenë mizorë. Këtë e di kush është ngacmuar e tallur në shkollë, ose kush ka fëmijë që e kanë kaluar një përvojë të tillë. Aktualisht një rast në Indonezi e ka tronditur vendin. Një 14 vjeçare, sipas informacioneve të mediave lokale është rrahur kaq keq nga 12 nxënëse të tjera më të mëdha në moshë sa u dërgua në spital. Shkas për këtë janë bërë komentet, që viktima ka postuar në Facebook.

Në twitter ky rast shkaktoi reagime të mëdha nën hashtagun: “Justice for Audrey”. „Përmasa e dhunës është tronditëse, por që një konflikt mes të rinjve fillon online dhe përfundon „offline” në botën reale, kjo nuk është e pazakontë”, thotë Birgit Kimmel, eksperte për pedagogjinë e fëmijëve dhe drejtuese e iniciativës së BE, „Klicksafe”. Projekti ekziston nga viti 2004 dhe synon më shumë siguri në internet. “Mobingu mund të fillojë në internet dhe të vazhdojë në jetën reale, ose e kundërta”, thotë Birgit Kimmel.

“Ky nuk është spiunim!”
Mobingu prek të rinjtë sidomos në internet, thotë Kimmel, pasi shumica e ka nga një smartphone. Viktimat nuk gjejnë qetësi as në shtëpi, sepse ngacmimet, thumbat, kërcënimet vazhdojnë në rrjet. “Nuk ka më hapësirë të mbrojtur, mund të sulmohesh 24 orë në ditë, 7 ditë në javë. Gati çdo lloj mobingu që fillon në shkollë, vazhdon në rrjet.” Për shkak të kësaj lidhjeje kaq të ngushtë, ekspertët nuk e bëjnë më dallimin mes mobing në internet dhe atë jashtë tij.

Në Gjermani nuk ka rregullore që prekin drejtpërdrejt ngacmimin në rrjet, por investohet shumë për parandalimin e tij. “Kemi punonjës që shkollohen për parandalimin e një fenomeni të tillë, dhe ata shkojnë në shkolla në bashkëpunim me organizata në terren”, thotë Erika Krause-Schöne, kryetare e Sindikatës Federale të Grave në Polici për Deutsche Wellen. Përpjekjet për parandalimin nuk përfshijnë vetëm fëmijët në moshën e adoleshencës por edhe ata të shkollës fillore.

“Me masat parandaluese duhet filluar shumë herët”, thotë ekspertja Kimmel. Fëmijët duhet të dinë, se çfarë ndodh në internet, dhe se është e rëndësishme që të merret ndihmë, nëse ndodh që të sulmohesh verbalisht në internet. “Ne themi, se nuk është spiunim, nëse kërkon ndihmë”, thotë Kimmer. Kjo luan një rol të madh tek fëmijët.

Foto intime në grupin e Whatsapp-it
Në klasat më të larta është e rëndësishme, që të rinjve t’u shpjegohet se ka një dallim mes hapësirës private dhe asaj publike. Një temë me mjaft rëndësi, thotë pedagogja janë fotot intime, të cilat nuk duhet të dërgohen, as tek i dashuri. Sepse nëse lidhja prishet, ato mund të “zbarkojnë” në grupin e whatsapp-it të klasës. Dhe shumë shpejt e gjithë shkolla sheh pamjet që janë shumë private, një përfytyrim i tmerrshëm për viktimat.

“Shumë e rëndësishme për viktimat është që të zhduken pamje të tilla”, thotë Kimmel. Ajo kujton një rast, kur një nxënëse kishte dërguar skena seksuale të dashurit të saj, e ky film qarkullonte mes nxënësve. Kur kjo ndodhi, personeli ka shkuar në çdo klasë dhe ka kërkuar që videoja të shuhej menjëherë nga të gjithë telefonët. Pak kohë më vonë videoja nuk u pa më. Por ende për fat të keq, thotë Kimmel, nuk ka përgjegjës për ngacmimet online në shkolla.

Prindërit shpesh të painformuar
Por jo vetëm të rinjtë duhet të informohen për ngacmimin në internet. “Mund të them nga përvoja ime, se shkollat ndërkohë informojnë drejtpërdrejt edhe prindërit”, thotë Krause-Schöne nga Sindikata e Policisë. Nevoja për informacion është e madhe. Shumë prindër nuk e njohin snapchat dhe instagramin, dhe nuk e dinë se çfarë postojnë fëmijët e tyre aty. Dhe instalimi i sferës private në rrjetet sociale është shpesh një kalim nëpër xhungël edhe për përdoruesit e rregullt. “Prindërit duhet të merren rregullisht me këtë temë.”

Kur prindërit e mësojnë, se vajza apo djali janë viktimë e ngacmimit në rrjet, reagimi i parë është shpesh – menjëherë në polici. Mund të bësh denoncim për fyerje, përgojim apo kërcënim, si në jetën reale. Por duhet menduar,edhe nëse kjo është rruga e duhur, thotë Kimmel. Deri sa të kryhen procedurat, kërkohen javë ose muaj. Dënimet e gjykatave janë „sanksione për keqbërësit, por nga kjo nuk kanë ndonjë përfitim të madh viktimat”, thotë ekspertja. Parandalimi në shkolla, mbështetja psikosociale që japin ekspertët, prindërit e miqtë ka për viktimat një rëndësi më të madhe./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb