TIRANE – “Për mbrojtjen e shëndetit dhe zhvillimin optimal për fëmijët e të rinjtë, është e nevojshme që të arrijmë që çdo grua të ketë një shtatzëni të shëndetshme, që çdo fëmijë të lindë dhe zhvillohet normalisht, si dhe çdo i ri të gëzojë një shëndet të mirë fizik e mendor”. Kështu deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në takimin e organizuar për të diskutuar mbi rritjen e investimeve publike për fëmijët në Shqipëri.

Ky takim u zhvillua në kuadër të lancimit të gjetjeve të studimit “Rishikim Afatmesëm i Planit Kombëtar të Veprimit për Fëmijët dhe Analizë e Buxhetit dhe Shpenzimeve për Fëmijët në Nivel Qendror”, nga organizata Save the Children, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe Instituti i Studimeve Bashkëkohore, një projekt ky i financuar nga Bashkimi Evropian.

Ministri Beqaj theksoi se “ashtu siç citohet edhe në gjetjet e studimit ne fjale, ndonëse treguesit e vdekshmërisë foshnjore e fëminore mbeten ende relativisht të larta, në vitet e fundit vihet re një prirje uljeje, ku këta tregues duhet të vlerësohen krahasimisht me vendet e tjera, me përfaqësimin e tyre në zona të ndryshme të vendit, si dhe ecurinë e punës për të përmbushur indikatorët e përcaktuar sipas Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit”.
Më tej ai shtoi se “Ministria e Shëndetësisë punon në këtë drejtim me programe dhe ndërhyrje, që synojnë përmirësimin e ushqyerjes së tyre, pakësimin e sëmundjeve kryesore të fëmijërisë, rritjen e mbulesës vaksinale, ndryshimin e sjelljeve të rrezikshme, shmangien e përdorimit të alkoolit, duhanit dhe drogave “.

“Parandalimi i transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija është konsideruar si një nga komponentët kryesorë të Strategjisë Kombëtare të HIV/AIDS që po hartohet nga ekipi i punës. Përgatitja e protokollit kombëtar të PAINF dhe udhëzuesit të kujdesit shëndetësor parësor për këtë shërbim në qendrat e këshillimore të nënës dhe fëmijës, synojnë të adresojnë nevojat e identifikuara për përmirësim e shërbimit, aksesin dhe uljen e rasteve të transmetimit”- deklaroi ministri.

Kreu i Shëndetësisë theksoi se 97 për qind e fëmijëve janë vaksinuar sipas kalendarit rutinë. Ndërsa për të gjithë fëmijët e lindur që nga 1 marsi 2014 dy dozat e para të vaksinës së poliomielitit bëhen me IPV (injektueshme). Kjo përbën një element të rëndësishëm në lidhje me përditësimin e kalendarit me vendet e BE dhe rritjen e sigurisë të vaksinave.
Në kuadrin e punës në vijimësi për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor për të gjithë popullsinë janë zhvilluar tashmë udhërrëfyesit për kujdesin para lindjes, pas lindjes për gruan dhe fëmijën, ushqyerjen e fëmijës, mirërritjen dhe zhvillimin e fëmijës, me mbështetjen e UNICEF-it. Në përfundim të këtij procesi, deri në shkurt 2014 u hartuan 4 Udhërrëfyes dhe 25 Protokollet përkatëse.

Sipas Beqajt, të gjitha protokollet përmbajnë udhëzime dhe rekomandime pikërisht për kujdesin para lindjes, pas lindjes për gruan dhe foshnjën e porsalindur. Gjithashtu, ato janë risi, sepse për herë të parë kemi PKK dhe udhërrëfyes të cilët synojnë ndjekjen e rregullt sipas përvojave edhe të vendeve të zhvilluara të BE-së për shëndetin amtar dhe foshnjor e fëminor deri në 5 vjeç.

“Paralelisht me hartimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike vijon puna edhe për hartimin e setit të treguesve të performancës dhe atij të standardeve të cilësisë së këtyre shërbimeve”, – tha ministri i Shëndetësisë, Beqaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: