Ditë më të gjata, netë më të ngrohta, kujdes më i madh për shëndetin; Po, kjo është vera! Seç ka diçka kjo stinë që i bën fëmijët të vrapojnë më shpejt dhe të luajnë më fort.
Dhe para se fëmijët tuaj të dalin me vrap nga dera, juve do t’ju duhet të siguroni mbrojtjen e tyre nga dielli, uji, pickimet e insekteve, aksidentet e mundshme, etj.
Mjekët e Spitalit Amerikan japin këshilla praktike, që çdo prind duhet të ndjekë.

Kujdes nga dielli
Ekspozimi i një personi në rrezet e diellit gjatë fëmijërisë dhe adoleshencës përgjithësisht konsiderohet të rrisë rrezikun e melanomës. Për të shmangur djegien dhe çdo dëmtim tjetër më të avancuar kini parasysh:
• Përdorini fëmijëve tuaj krem me faktor mbrojtës (SPF) nga 15 e lart për të ulur intensitetin e rrezeve të dëmshme, që shkaktojnë të djegura. Aplikimi i kremit duhet bërë 15 ose 30 min para ekspozimit në diell, në mënyrë që lëkura të absorbojë sa më shumë krem dhe të zvogëlohen gjasat që ky i fundit të lahet nëpërmjet djersës, notit, të fshirave me peshqir. Për këtë arsye është e këshillueshme që kremi të riaplikohen çdo dy orë si edhe pas çdo veprimtarie fizike. Edhe kremrat water resistant e humbasin efektin e tyre pas 80 min qëndrim në ujë. Si duhet vepruar? Në rast se fëmija pëson djegie është e rekomandueshme të përdoren kompresa të ftohta, analgjezikë si dhe kremra me bazë aloe vera.
• Pajisini fëmijët me kapele dhe rroba të lehta pambuku. Veshja është një barrierë shumë e mirë ndaj rrezeve ultraviolet.
• Mbajini bebet larg diellit. Fëmijët nën gjashtë muaj duhet të reduktojnë sa më shumë kontaktin me rrezet e diellit dhe përdorimin e kremit. Mbi këtë moshë, mund t’u aplikohet krem me faktor mbrojtës në zonat e paveshura të lëkurës.
• Shmangni aktivitetet në natyrë gjatë orës 11 të paradites me 4 të mbasdites. Duket mision i pamundur për fëmijët tuaj aktivë? Bëni të mundur që e gjithë familja të bëjë pak pushim prej diellit në këtë orar. Këto janë rreze të dëmshme për të gjithë.
• Kini kujdes nga hija. Të shumtë janë ata që mendojnë se të qëndruarit në hije është mënyra më e mirë për t’u ruajtur nga dielli. Hija mundëson një ndjesi lehtësie nga nxehtësia por jo shmangie nga rrezet UV.

Mbajini fëmijët e hidratuar
Me rritjen e temperaturave, lodhja nga vapa fillon të bëhët shqetësuese. Simptomat përfshijnë lodhje, etje ekstreme, dhe krampe muskulare. Nëse fëmijët nuk freskohen dhe hidratohen, lodhja nga vapa mund të çojë deri në goditje nga të nxehtit (shenjat janë dhimbje koke, marramendje, të përziera, të vjella, dhe mungesa e djersës), e cila është potencialisht fatale. Si duhet vepruar? Nëse vini re këto shenja tek fëmija juaj, i hidhni ujë të ftohtë, zhvendosini në hije ose pranë një ventilatori. Vendosja e akullit nën sqetull dhe ije e përshpejton procesin e ftohjes. Nëse dyshoni për goditje nga të nxehtit, telefononi menjëherë 127.

Mos i largoni sytë nga fëmijët kur janë në ujë
Fatkeqësisht, mbytja në ujë (më së shumti pa të bërtitura dhe spërkatje) është një nga shkaqet më të shpeshta të aksidenteve që shkaktojnë vdekje tek fëmijët.
Pajisini fëmijët me komardare. Komardaret me krahë kanë pak mundësi të rrëshkasin dhe krahasuar me ato në formë rrethore kanë më pak mundësi për t’u kthyer përmbys.
Mos ia lejoni vetes të shpërqendroheni teksa fëmijët tuaj janë në ujë. Shmangni celularët dhe bisedat e gjata me prindërit përreth.
Telefononi 127.

Ruhuni nga thumbi i bletës
Bletët tërhiqen prej luleve, ndaj mos aplikoni parfum me esenca lulesh në rrobat e fëmijëve tuaj. Gjithashtu, shmangni lënien hapur të ushqimeve dhe pijeve; nëse fëmijët bëhen pis, vishini diçka tjetër; dhe në rast se shikoni një bletë të afrohet pranë tyre, ruani qetësinë dhe po kështu përpiquni t’i largoni. Si duhet vepruar? Nëse fëmija juaj pickohet, si fillim përpiquni të largoni thumbin me një kartë (krediti, rimbushëse) dhe më pas, mund të aplikoni mbi zonën e prekur akull ose një pastë të përgatitur me sodë buke dhe ujë. Pas kësaj, në farmacinë më të afërt kërkoni krem me hydrocortizon edhe antihistaminikë oralë për të evituar ënjtjen.

Veshi i notarit
Veshi i notarit quhet infeksioni i kanalit të jashtëm të veshit dhe dhimbja është simptoma më e hershme. Teksa përparon ju mund të shihni kullim nga veshi i fëmijës suaj dhe butësi ekstreme kur pjesa e jashtme e veshit është prekur. Ky infeksion shkaktohet nga invadimi i mikrobeve në kanalin e veshit, me futjen e ujit brenda dhe me thatësinë e tepërt pasuese kur fëmija del nga uji. Si duhet vepruar? Aplikoni antibiotikun e rekomanduar nga mjeku dhe frenoni larjet në pishinë.

Helmimi nga ushqimi
Nuk është gjë e re të dëgjosh për helmimet nga ushqimi gjatë stinës së verës. Me aq sa ju mund të keni në dorë, sigurohuni që jashtë shtëpisë, përpara të ngrënit, fëmijët të lajnë duart apo të përdorin xhel antibakterial. Lajini mirë frutat dhe perimet, mbajini ushqimet në frigorifer dhe rifutini ato nëse nuk kanë mbaruar. Shenjat e helmimit janë të përziera, të vjella dhe diarre. Zakonisht nuk ka ethe dhe gjak në jashtëqitje. Si duhet vepruar? Trajtimi kërkon vëmendje, pushim, lëngje si dhe një dietë të lehtë ushqimore.

Mos i lini fëmijët të presin në makinë
Duhen vetëm 10 min që temperatura e makinës të ngrihet me 19 gradë. Shpesh janë dëgjuar lajme tragjike me prindër që lenë fëmijët për një kohë të gjatë në makinë apo bebet të flenë. Mos i lini fëmijët as edhe një minutë vetëm; gradët e makinës ndonjëherë mund t’ju mashtrojnë për shkak se makina nxehet shumë shpejt. Fëmijët janë në risk më të madh prej goditjes nga i nxehti, kjo sepse trupat e tyre e rrisin temperaturën tre deri në pesë herë më shpesh se të rriturit.

Ky informacion nuk ka për qëllim t’ju frikësojë e t’i mbani fëmijët të mbyllur në shtëpi. Vera është koha më e bukur për t’u argëtuar. Mjafton informacioni i duhur dhe jeni gati të shijoni stinën me fëmijët tuaj!

Për t’u informuar rreth projekteve të Z. Klodjan Allajbeu ju mund të regjistroheni në newsletter-in personal duke vizituar http://bit.ly/KA-newsletter-1

Dr. Klaudia Stajka
Spitali Amerikan 2

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb