Nga: ERL MURATI*
Kohë më parë, Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar njoftimin e Bankës Botërore, se 700 milionë dollare të grabitura nga ish-diktatori i Nigerisë, Sani Abacha, (vdekur më 1998), dhe të depozituara në bankat zviceriane, iu kthyen popullit nigerian. Me këtë rast BB deklaroi se ky është një sinjal në shkallë botërore se nuk ka vend të sigurt për fondet e vjedhura.

Kthimin e parave të vjedhura popullit nga ish-diktatori i Nigerisë, me të drejtë presidenti i Bankës Botërore e përkufizoi si mesazh për mbarë botën. Ky mesazh nuk mund të mos ketë kumbim të fortë dhe të ri edhe në Shqipëri. Ai është aktual, dhe ndoshta emergjent, edhe për qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. Fjala është për paratë, valutën dhe floririn e grabitur popullit shqiptar gjate 50 viteve të diktaturës komuniste dhe të cilat, sipas deklaratave të bëra nga zyrtarë të lartë të PD-së në vitet 1991-1992 janë depozituar në bankat e huaja.

Presidenti i parë jokomunist i Shqipërisë, Sali Berisha, kur u zgjodh në vitin 1992 i bëri popullit një premtim se do të kthejë paratë e grabitura popullit shqiptar nga diktatori dhe rrethi i tij i ngushtë. U tentua në atë kohë edhe një hetim i kësaj çështjeje tepër të ndjeshme për popullin shqiptar, por për arsye të panjohura u la në mes të rrugës dhe opinionit publik nuk iu njoftua kurrë dosja reale.
Partia Socialiste, që erdhi në pushtet në vitin 1997, duke qenë trashëgimtare ideologjike dhe fizike e ish-Partisë së Punës të Enver Hoxhës, as që do të merrte mundimin ta cekte këtë çështje që ishte pjesë e trashëgimisë së hidhur, të cilës ajo i kishte dalë për zot dhe në pronësi. Nuk duhet harruar se ajo i bëri një oponencë të egër çdo përpjekjeje ligjore të PD-së dhe të qeverisë demokratike për të hetuar deri në fund këtë çështje. Motivet pse PS-ja veproi kështu, merren me mend lehtë.

Çështja e parave apo e fondeve në valutë të marra nga diktatori dhe rrethi i tij dhe të depozituara në bankat e huaja është tepër e ndjeshme për popullin shqiptar. Për këtë çështje ka shkruar dikur në fillimet e demokracisë edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare. Për këtë çështje ka shkruar jo pak edhe shtypi perëndimor, duke publikuar edhe shifra që shkojnë deri në 3-4 miliardë dollarë.
Media shqiptare ka botuar herë pas here pjesë të fjalës së sekretarit të parë të Partisë së Punës, Ramiz Alia, mbajtur në vitin 1989, kur ai u jep porosi një pjese të anëtarëve të Byrosë Politike të PPSH-së, se duhet të përgatitemi për periudhën e ardhshme të pluralizmit të partive. Çdo logjikë e kupton se një nga format dhe mjetet e realizimit të kësaj përgatitjeje do të ishin sigurimi i fondeve të mjaftueshme për të vënë në jetë strategjinë e Partisë së Punës, ekzistencën dhe jetën e nomeklaturës së ngushtë në të ardhmen. Një nga mënyrat do të ishte largimi i fondeve në adresa bankare të panjohura me qëllim që kur të vinte qeveria demokratike në fuqi të mos gjente se ku kishin shkuar paratë.

Nuk qëndron më një nga pseudoargumentat që janë dhënë herë pas here nga mbrojtësit e hapur dhe të fshehtë të diktaturës se depozitat nuk gjenden dot, sepse bankat perëndimore nuk i tregojnë. Depozitat e ish-diktatorit nigerian i nxorri Banka Zviceriane dhe Banka Botërore e falenderoi qeverinë zviceriane se dha një shembull në këtë drejtim, duke bashkëpunuar dhe duke riatdhesuar paratë e grabitura popullit të Nigerisë. Nëse qeveria e re do të ngulmojë seriozisht në këtë çështje dhe do të kërkojë bashkëpunimin e Bankës Botërore dhe të organizmave ndërkombëtare financiare, ajo do të ketë mbështetjen e plotë. Por ajo duhet të ketë vetë vullnetin politik dhe juridik.

Tani PD-ja erdhi në fuqi pas tetë vitesh në opozitë. Ish-presidenti Sali Berisha është kryeministër, që do të thotë se duke kryesuar ekzekutivin ka fuqi më të mëdha ekzekutive dhe mjete legjislative e juridike më të drejtpërdrejta për të rihapur një çështje kaq të ndjeshme.

Çështja e parave të grabitura popullti shqiptar gjate 50 viteve të diktaturës nuk mund të quhet e arkivuar apo e mbyllur. Ajo nuk është si çështja e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit, e cila sillet si kali në lëmë në kunjin e dilemës false “të hapen apo të mos hapen”. Çeshtja e parave të grabitura popullit shqiptar, valutë apo florinj, është çështje e gjakut dhe e djersës së vjedhur disa brezave të shqiptarëve nga diktatura komuniste. Ajo dosje duhet hapur, duhet zgjidhur dhe duhet shkuar deri në fund. Sepse ato para i duhen popullit shqiptar, që është ndër më të varfërit në Evropë. Ato para u duhen të persekutuarve dhe të dënuarve politike, që u kalbën burgjeve dhe u shkatërruan nëpër internime. Ato para i duhen arkës së dobët të shtetit për të investuar në drita, ujë, rrugë, arsim. Në fund të fundit hapja dhe ndjekja serioze shtetërore e kësaj dosjeje është dhe një detyrim moral, politik dhe filozofik për PD-në nga platforma dhe programi i saj themelues antikomunist, sepse nëse duhet luftuar komunizmi dhe pinjollët e tij, kjo bëhet në rradhë të parë me zbulimin e burimeve financiare të fshehura. Është e ngjashme me luftën e sotme kunder terrorizmit, një drejtim kryesor i së cilës është pikërisht zbulimi i burimeve dhe depozitave finaciare të qendrave dhe grupeve terroriste.
Sali Berisha i ka bërë popullit një premtim më 1992 se do t’i kthejë paratë e grabitura popullit shqiptar nga diktatura e Enver Hoxhës. Tani është koha për t’i kujtuar atij këtë premtim. Pa i hyrë motiveve dhe shkaqeve pse nuk u realizua ky premtim kur ai ishte president, ka shumë arsye të dëgjohet prej tij si ka planifikuar ta realizojë tani, këtë premtim të vitit 1992. Sepse pas katër viteve të tjerë, një premtim i pambajtur do të marrë formën e një mëkati historik.

* Opinioni i botuar në shtyp në vitin 2006, kur Partia Demokratike kishte 1 vit që kishte ardhur në pushtet. 10 vjet pas këtij shkrimi, asnjë nga qeveritë nuk ka bërë asnjë hap për zbardhjen e së vërtetës për destinacionin final të floririt shqiptar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: