Përballja e parë me Sali Berishën zgjati vetëm pak minuta pasi Presidenti i ardhshëm do të takonte Ramiz Alinë. Ndërsa e dyta nuk rrëfehet nga Kurt Kola se sa minuta zgjati, por nga përshkrimi i tij, lihet të kuptohet se edhe ajo nuk i kaloi minutat e njërës dorë. Në librin “Tranzicioni neokomunist në Shqipëri”, botim i ”UET Press”, Kola tregon bisedën me Berishën, të cilit i kujtoi se ishte zgjedhur President në një moment shumë të keq për atë vetë dhe për vendin.
SHMANGIA EDHE FORMALE NGA PD
Nga eksperienca e jetës sime tërësisht në prove të njohjeve njerëzore, ideve, intrigave, mentaliteteve, parimeve, situatave, ambicieve e gjithfarë prodhon mendja e njeriut, një shkollë mbi çdo shkollë Universiteti, më mjaftonte fare pak kohë për të parë të fshehtën nën vellon e propogandës. Kështu, çastet e takimeve në institucionet e larta të Shtetit të Ri dhe momenti në mbledhjen e kuadrove të partisë për kryetarin e bashkise së Matit, më mjaftuan bollshëm për të
konstatuar helmin në thellësi të ëmbëlsirës së jashtme, që shumë vonë do shkaktonte viktima të pafajshme në masë të konsiderueshme njerëzish.
Ishte muaj gusht 1992. Patën përfunduar zgjedhjet lokale, ku shumicën e bashkive dhe komunave i fitoi Partia Socialiste. Shenjë e keqe në horoskopin e politikës së ndryshimit, që paralajmëronte fituesit me bujë dhe premtime të mëdha, ta ndalin turrin me galop e të ecin në
Këmbë. Pati nisur fushata e zgjedhjeve të reja nëpër degët e Shoqatës Kombëtare të ish-të Burgosurve e InternuarvePolitikë në rrethe.
Ndërkohë, unë kisha inspektuar partitë e vjetra, “Legalitetin” e “Ballin Kombëtar”, që tashmë qenë krijuar të reja e ishin pajisur me seli e fonde për ushtrim aktiviteti. Isha tërësisht i zhgënjyer, por jo i habitur, që kryesitë e tyre dominoheshin nga elementi i kompromentuar nga Sigurimi i Shtetit.
E dija, se ma kishin pohuar vetë udhëheqësit e PD-së, se partitë e reja dhe drejtuesit e tyre i cakton Ramiz Alia, por për dy partitë tradicionale “Legalitetin” e “Ballin”, nuk më kish vajtur
Mendja. Më erdhi në kujtesë nga fëmijëria një hollësi: në klasën e tretë fillore në Kalanë e Beratit, ne fëmijët luanim dramën “Partizanët janë kudo!”, që aktualisht paralelizohet me “Sigurimi komunist është kudo!” Ishte marrë vesh nga të persekutuarit që isha kthyer në Tiranë dhe kërkonin të më takonin. Flija te motra në Mullet, kurse gjatë ditës merresha me lëvizje politike, kështu që nuk kisha rënë në kontakt me ta.
Rastësisht takova Vera Demën, bijën e kolonel Hysni Dema. Kisha jetuar me të e familjen e saj që nga viti 1945 nëpër kampe internimi. Vera fluturoi përpjetë kur më pa: “Të kam kërkuar në qiell e të gjeta në tokë!” dhe më përqafonte me tërë fuqinë e shpirtit dhe zemrës. “Sa më je dashur! Sa na ke munguar!” e plot fjalë dashamirësie pa pushim. Më pas, ajo nuk u shkëput për asnjë çast nga kontaktet me mua. Ishte në Shoqatën e degës Tiranë e nëpërmjet saj u njoha me plot të burgosur e të internuar tiranas apo nga rrethet, që kishin ardhur në kryeqytet.
Në fund të gushtit, u zhvillua konferenca e Degës së Tiranës. Punimet e Konferencës u bënë në një sallë të teatrit. Pjesëmarrje e madhe. Isha i ftuar, jo delegat. Ndryshimi – nuk kisha mandat për t’u zgjedhur në organet drejtuese, isha thjesht dëgjues. Nuk e mora vesh si u përfshiva në
votime, prej nga dola nënkryetar i degës Tiranë. Kryetar u rizgjodh Eqerem Kavaja, inxhinier elektrik, i burgosur politik në Spaç. Në Kryesi u zgjodh dhe Vera Dema, e cila qe një aktiviste e palodhur e shoqatës. Kryesia e Tiranës pati njerëz me shumë reputacion dhe më kujton thënien e z. Kavaja në mbledhjen e parë: “Me këtë Kryesi, unë drejtoj qeverinë!”
Pikërisht këtu nisi marrja e fuqisë përfaqësuese, rritja e autoritetit dhe pendimi i institucioneve që nuk më përfshinë në strukturat e tyre. Unë kuptova forcën e madhe që ushtronte shoqata në politikën e vendit dhe lakminë e PD-së për ta pasur aleate, por pa pushtet, përkundër rivales
së saj Partisë Socialiste. Data e Konferencës Kombëtare po afrohej. Në rrethe vazhdonin konferencat e degëve që zgjidhnin njëherësh organet drejtuese dhe delegatët për Konferencën Kombëtare.
Një ditë, kur rrija në zyrën e Sokol Mirakës, shok vuajtjesh që në moshë fëminore, atë kohë përfaqësues i qeverisë me klerin katolik, me seli në Këshillin e Ministrave, më pyeti nëse dëshiroja t’i bëja një vizitë presidentit Sali Berisha. Nuk e di, nëse ishte mendim i çastit nga shoku im apo i nxitur nga Berisha. Asnjëherë nuk e sqarova, madje edhe tani pas gati tre dekadash që po shkruaj, pavarësisht se jam takuar shumë herë me Sokolin. Ashtu krejt instinktivisht e pa menduar thashë: – Dakord!
E telefonoi, dhe ai qe i gatshëm në përgjigje: “Ejani!”.
Ky qe takimi i dytë, por i pari në postin e ri. Pritje me sajdi. Doli te dera me shprehjen: “Mirë se vini!” dhe na shtrëngoi duart. Pas fjalëve të zakonshme e urova për postin e lartë:
– Ju uroj për postin e presidentit të Shqipërisë, megjithëse është më tepër diçka negative se pozitive për momentin.
– Përse?! – më ndërpreu me nxitim e habi.
– Keni ardhur në krye të shtetit në një situatë të papërshtatshme, me ekonomi tërësisht të rrënuar, me një popull të varfër e të kërcënuar deri në vdekje nga uria, e plot halle të tjera. Ju keni premtuar se do e bëni Shqipërinë si gjithë Europa, por s’do jeni në gjendje të bëni asgjë dhe
kështu populli do zhgënjehet e ju do largoheni pa lavdi, se tani jemi në pluralizëm politik.
– Keni shumë të drejtë, por kur unë të mos kem mundësi të bëj diçka për mire, do vesh përparësen e bardhë, do marrë bisturinë dhe do shkoj në zanatin tim, – tha me një farë nervozizmi dhe mllefi të përmbajtur në adresë të vërejtjes sime, edhe pse formalisht më dha të drejtë.
– Për atje, i ke duart e arta, – i tha Sokoli teksa i rrahu shpatullat në shenjë respekti për profesionin.
Tashmë biseda mori një trajektore jo të këndshme për presidentin, i cili qe mësuar të lajkatohej.
– Do të shkoni përsëri në emigracion? – bëri sondazh provokativ deri në ndjenjë atdhetarizmi, njeriut që gati ishte shuar për demokraci. Kjo tregonte ashiqare bindjen e tij komuniste dhe ndërgjegjen e mbrujtur me ideologjinë e së keqes.
– Pse, sipas jush, nuk kam vend në atdheun tim? Tërë jetën internimeve e burgjeve të Shqipërisë diktatoriale dhe tani që jam i lirë, të marrë rrugët e botës?
– Jo nuk e thashë me atë qëllim, mos më keqkuptoni, – tha me gjysmë zëri dhe pa orën për të na thënë se takimi mbaroi. U larguam bashkë me Sokolin nga presidenca.
Përjashta u ndamë, ai për në zyrë, unë në punën time. Gjatë rrugës analizoja bisedën me spont ndaj njëri-tjetrit. Ishim dy karaktere gjithsesi të ndryshme e të papajtueshme. Ishim dy botë në antipod me njëra-tjetrën.
ZGJEDHJA KRYETAR I SHOQATËS KOMBËTARE
Kjo ishte Konferenca e dytë Kombëtare, që do të mbahej në datën 27 mars 1993. Konferenca e parë qe mbajtur në prill ’91 dhe ishte zgjedhur kryetar z. Osman Kazazi, i burgosur politik për bindje dhe aktivitet në shërbim të Ballit Kombëtar. Ishte idealist i flaktë dhe e vuajti idealin tërë jetën në burg-internim. Qe shumë i moshuar, i lodhur fizikisht dhe pak i sklerorizuar, tërësisht i paaftë për këtë detyrë. Ishte krijuar një antipati për të, s’qe faj i tij…
Tri ditë, Tirana ishte e mbushur plot me të burgosur politikë nga diktatura komuniste. Nga të gjitha krahinat, nga Vermoshi në Veri e Konispoli në Jug, nga Divjaka në perëndim e në Kapshticë në lindje të vendit kishin ardhur delegatë për të zgjedhur forumet drejtuese të Shoqatës Kombëtare të të Dënuarve Politikë, forca e tretë në numër njerëzish, por fatkeqësisht jo subjekt elektoral (parti) që të pretendonte pushtetin. Shtresa shoqërore, e cila gjatë sundimit diktatorial gjysmëshekulli ishte objekt i një lufte të përditshme e të vazhdueshme, me të gjitha format e dhunës, ekzekutimit, burgosjes, internimit, torturave fizike e psikike, konfiksimit të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, dënimeve me gjyqe e pa gjyqe pa dallim seksi e moshe, të porsalindur e deri 90 vjeç; pas rënies së diktaturës, në sistemin shumëpartiak, organizohet në Shoqatë e jo parti politike.
Kjo ishte vrasje fatale e ideuar nga superintriganti Ramiz Alia dhe e realizuar nga Sigurimi i tij kriminal, në dakordësi me neokomunistët në pushtet. Krim i arkitektit komunist, i kriminelëve realizues dhe naivitet i shtresës që e pranoi. Përfaqësim i madh kombëtar. Më shumë se katërqind delegatë kishin ardhur me shpenzimet e veta, edhe pse në varfëri e të rrënuar. Mbizotëronte entuziazëm dhe optimizëm tek ata që kishin sfiduar diktaturën më kriminale me vetëmohim. Sigurisht, në luftën e gjatë për mbijetesë kishte edhe nga ata që ishin dorëzuar. Në Konferencë do isha pjesëmarrës si delegat i Tiranës. As ndërmend nuk më shkonte se do isha kandidat për kryetar të Përgjithshëm të Shoqatës, pa le pastaj se do të fitoja unë.
Dy ditët e para, Konferenca i zhvilloi punimet në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në Pallatin e Kulturës. Ditën e tretë, në datën 29 mars ’93, kur do të votoheshin kryetari dhe forumet e larta, Këshilli Kombëtar e Kryesia u spostuan në sallën e Ministrisë së Punës dhe Emigracionit. Përpara se të fillonte votimi, Avni Agolli, një bashkëvuajtës internimi e burgu më tha:
– Do të të propozoj kandidat për kryetar.
– Është mendimi yt apo ta ka sugjeruar njeri? – e pyeta për kureshtje.
– Është mendimi dhe dëshira e shumë delegatëve nga rrethet, por unë e mora përsipër propozimin.
I vetmi informacion që mësova, dhe këtë, një orë para se të bëheshin propozimet. Nga komisioni i verifikimit të votimit, iu propozua Osman Kazazit të mos ri-kandidonte dhe ta shpallnin Kryetar Nderi, por e refuzoi dhe qe kandidat i parë. Pas tij, u propozuan njëri pas tjetrit katër kandidatë dhe u bënë pesë. U ngrit Avni Agolli e propozoi dy kandidatë ndërkohë që rregullorja të lejonte vetëm një. Këtë e bëri që të plotësohej numri shtatë, që të mos kishte më propozime dhe të privohesha unë. Doli tradhëtia e komplotit kurdisur në prapaskenë kundër meje. Në momentin që komisioni rrëzoi njërin kandidat të paligjshëm të Avni Agiollit, ngrihet Ali Gjana dhe propozon me zë të lartë emrin tim.
Jo pa qëllim e bëra këtë denoncim komploti, pabesie e tradhëtie të gatuar në kuzhinën e Partisë Demokratike e të marrë përsipër nga shoku i vuajtjeve të fëmijërisë, me karakter të ulët, Avni Agolli. Odisenë e komplotit të dështuar do e shohim në vijimësi pa ndërprerje e në format më të ndryshme e më të shëmtuara…
Shtatë kandidatura për të dalë një kryetar. E imja krejt rastësisht u propozua nga një person që nuk e kisha takuar kurrë në burgun tim të gjatë. I kërkuan Kazazit rishtas të tërhiqet e të nderohet me Kryetar Nderi, por ai prapë refuzoi. U tërhoqën vullnetarisht dy kandidatura dhe
mbetëm pesë për t’u votuar. Në rezultatin e pare, asnjëri nuk arriti maxhoritarin. U eleminuan tri kandidatura me më pak vota, e nga këta, vetëm me 26 vota, Osman Kazazi.
Në balotazh unë dhe Engjëll Kokoshi me nga 150 vota secili. Në raundin e dytë e theva keq duke e lënë te rezultati i parë. Pas konfirmimit me duartrokitje të gjatë prej delegatëve, përshëndeta dhe falenderova delegatët për besimin, duke u premtuar se do jem próre në ballë për të drejtat e tyre. Pas përshëndetjes, iu drejtova Konferencës:
– Një lutje e kam për delegatët, të shpallim kryetar Nderi z. Osman Kazazi!
– Joooo! – jehoi salla, – Ai refuzoi dy herë propozimin tonë, nuk e meriton!
– Të dashur bashkëvuajtës! E shikoni si është bërë?
Është shumë i vjetër e shumë i vuajtur, për hir të këtyre dy kritereve ta shpallim kryetar Nderi. Si me buton elektrik, gjithë salla pohoi në një zë të vetëm. Osmanit iu mbush fytyra e verdhë me gjak…
– Të lutem, më emëro mua kryetar të Komisionit të Revizionimit – m’u lut “shoku” i vuajteve, Avni Agolli.
– Po! Por do jesh nën kontroll “non-stop”, si njeri i pabesuar e me karakter të dobët.