Së shpejti, Kuvendi i Troshanit ku u shkollua dhe më vonë shërbeu At Gjergj Fishta, do të marrë statusin e monumentit të kulturës.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro.

Nëpërmjet një statusi në facebook, Kumbaro thotë se merita është e Dom-Nike Ukgjini falë bashkëpunimit me të cilin morëm rrugën drejt Fishtës, pikërisht aty ku lindur një nga shkrimtarët e mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit XX shqiptar, pikërisht aty ku shtëpia e lindjes nuk ekziston më dhe ku Kisha ka ngritur një memorial të thjeshtë deri në madhështi.

Kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi të të varfërve.

Më vonë, etërit françeskanë ishin ulur në vendin e tanishëm, ku me ndihmën e Austro-Hungarisë ndërtuan Kishën dhe Kuvendin në vitin 1857. Në vitin 1880, u dha leja e hapjes së kolegjit (shkollës) në ketë Kuvend që u inaugurua më 14 prill 1882. nga misionarët: At Mariano Pizzochini prej Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, prej Bergamo.

Sot Kuvendi i Troshanit si një vend historik në vete, është i restauruar dhe i sistemuar me shumë kujdes nga Provinca françeskane shqiptare, shkruan “ATA”. Ka ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor për të gjitha këto koka të ndritura françeskane shqiptare.

Kuvendi për rreth e qark ka një hapësirë magjepse dhe atraktive rrëzë vargmaleve të Troshanit.

Ka një infrastrukturë të re e solide. Në këtë hapësirë, thënë ndryshe, mund të zhvillohej lirshëm një turizëm i suksesshëm kulturor vendas dhe i huaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: