TIRANE –Dita e sotme pritej të ishte përcaktuese për zgjidhjen e ngërçit politik në vend, ku prej disa javësh mazhoranca dhe opozita janë në negociata mes tyre, për arritjen e një pakti që do të bënte të mundur rikthimin e PD-së dhe aleatëve të saj në Kuvend, pas gati 5 muajsh mungesë, por nuk ndodhi kështu. Mbërritja në Tiranë e eurodeputetit, Eduart Kukan dhe takimet e sotme të tij me kryeministrin Edi Rama, liderin e opozitës Lulzim Basha dhe kreun e Kuvendit, Ilir Meta finalizuan përpjekjet përfundimtare të Parlamentit Europian, për të gjetur një marrëveshje mes palëve, e për ta kthyer opozitën në Kuvend, por nuk ia dolën. Përpjekjet e eurodeputetit Kukan nuk kanë qenë të lehta, pasi ai ka vijuar “ecejaket” gjatë gjithë paradites, duke u rikthyer dy herë në zyrën e kreut të opozitës, për të arritur një marrëveshje. Në përfundim te takimit të dytë, Basha tha se negociatat janë ende në progres dhe do të vijojnë edhe të martën përmes komunikimeve telefonike. Ai tha se deri tani ecuria është pozitive dhe se opozita nuk do paraqesë asnjë pengesë që procësi i nisur nga eurodeputetët të përmbyllet me sukses.

 BASHA: NGA ANA JONË ASNJË PENGESË PËR MARRËVESHJE
“Interesat për të cilat flasim janë interesat e vetë shqiptarve, jo të opozitës, as të Partisë Demokratike, e cila natyrisht ka detyrën dhe përgjegjësinë të përmbushë rolin e saj në një demokraci parlamentare. Kjo detyrë ka të bëjë me transparencën, me llogaridhënien e ekzekutivit, me mbikqyrjen parlamentare. dhe janë pikërisht eleminimi i këtyre instrumentave dhe sëfundmi goditja dhe kërcënimi i opozitës në Parlament që sollën krizën parlamentare”, tha Basha.

Që pasojat e kësaj gjendje i vuajnë shqiptarët nuk ka dyshim, theksoi Basha, por vijoi ai, “një qeverisje që nuk jep llogari askund dhe në rradhë të parë në Parlament, aty ku duhet të japë llogari, është shumë më e prirur nga zullumi, nga padrejtësia, nga arbitrariteti. Të gjitha këto rëndojnë mbi shpatullat e qytetarve shqiptarë”.

Ndaj, u shpreh Basha, “ne kemi marrë këtë përkushtim dhe angazhim. Në rradhë të parë dhe kryesisht për interesat e shqiptareve, të cilët meritojnë një demokraci parlamentare funksionale, meritojnë një Parlament funksional ku interesat e tyre, problemet e tyre, hallet e tyre janë rendi i ditës. Pikërisht për këtë kërkohet dhe lypset angazhimi i palëve për të ndërprerë menjëherë; praktikat e dhunshme dhe antiligjore që sollën asgjesimin e jetës parlamentare”.

Së dyti, tha kreu i PD, “angazhimi për të bërë të mundur që këto të mos përsëriten kurrë përmes amendimit të legjislacionit dhe përmes përkushtimit politik për të eleminuar menjëherë krimin nga Parlamenti, apo Parlamentin si strofkë e krimit, dhe për të rikthyer Kushtetutën dhe ligjshmërinë në aulën dhe tempullin e demokracisë”.

Ndërsa duke iu përgjigjur pyetjes se, ku kanë ngecur negociatat, Basha theksoi se, “Vullneti ynë ka qenë prej fillimit pozitiv. Nuk e kemi kthyer këtë në një pazar kuajsh. Kemi evidentuar shkaqet që sollën rrënimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri. Kemi kërkuar ndreqjen e këtyre shkaqeve. Jam i lumtur që sot kemi një ndërgjegjësim total jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, që për fat të keq janë ata që e paguajnë faturën e mosfunksionimit të Parlamentit, por dhe të institucioneve ndërkombëtare, të cilët i falenderoj përzemërsisht që në këtë kohë krizash jo të pakta globale, kanë gjetur kohën, vëmendjen, resurset për t’i dedikuar Shqipërisë atë që meriton, vëmendjen Europiane, mbështetjen Europiane. Kam besim se me mbështetjen e tyre do ta tejkalojmë këtë sprovë të madhe të demokracisë 24 vjeçare të Shqipërisë dhe do të rikthejmë funksionimin normal të Parlamentit”.

Ndërsa kreu i PD nuk ka sqaruar nëse deri të mërkurën do të rikthehet funksionimi normal i Parlamentit dhe PD të rikthehet në Kuvend.

“Për ne është e rëndësishme të ndodhë sipas parimeve dhe standardeve Europiane. Sigurisht nga ne nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi për të cilën janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit Europianë të të dy krahëve politikë, të Partisë Popullore Europiane dhe të Partisë Socialiste Europiane. Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses. T’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi që shpreh një shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë dhe ka mobilizuar si rrallë herë në një front të bashkuar të majtën dhe të djathtën europiane. Për më shumë do ju informoj në vijimësi”, tha Basha.

BERISHA: PRANOJ CDO VEDNIM TË KËSHILLIT KOMBËTAR

Në përfundim të mbledhjes së Grupit të Partisë Demokratike, deputeti Sali Berisha ka vlerësuar punën e dy eurodeputetëve për të gjetur një zgjidhe që do kthente opozitën në Kuvend, duke i dhënë kështu fund edhe ngërçit politik. Por nga ana tjetër ai u shpreh dyshues për mazhorancën, nëse do arrinte ajo të pranonte kushtet e marrëveshjes.

“Problemi është tërësisht fondamental. Kjo është ajo çka unë mund të them, është bërë një punë e rëndësishme, në dukje palët janë afër por unë që e njoh mirë atë, ju garantoj se ai është Thimoksiu, e ka të vështirë. Ka një koncept armiqësor drejt opozitës. Unë e konsideroj bojkotin një lloj fatkeqësie të imponuar, por midis demokracisë dhe bojkotit unë zgjedh gjithnjë demokracinë. E vërteta është se dy të dërguarit e PE kanë bërë punë serioze për t’ju dhënë zgjidhje pa tendenciozitet. Unë pranoj çdo vendim që të marrë Këshilli Kombëtar i PD”, tha Berisha.

BERISHA: TË MBLIDHEN FORUEMT, NË KUVEND JO PA MARRËVESHJE

Ish lideri historik i së djathtës, Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka deklaruar se se në Kuvend e djathta nuk mund të hyjë pa një marrëveshje. Ai ka sugjeruar me tej që duhet të mblidhen forumet e PD-së.

“Të mblidhen forumet e PD, në Kuvend nuk mund të hyet pa marrëveshje”.

KUKAN: DIALOGU POLITIK ME RENDESI PER INTEGRIMIN

Eurodeputeti Eduard Kukan, në vazhdim të përpjekjes që reporterët e BE-së po bëjnë për të pajtuar palët, zhvilloi sot takime të njëpasnjëshme në Tiranë me kryeministrin Rama, kreun e Kuvendit Ilir Meta dhe liderin e  opozitës, Lulzim Basha. Në përfundim të takimit me zotin Basha, eurodeputeti Kukan theksoi rëndësinë e rivendosjes së dialogut politik, për të ecur përpara në rrugëtimin drejt BE-së.

“Kam ardhur të vijoj punën e nisur nga kolegu im Flenkeshtein, për të vendosur dialogun politik që është shumë i rëndësishëm, për të zhvilluar një politikë evropianë të suksesshme.”- deklaroi eurodeputeti.

META: JANË PLOTËSUAR TE GJITHA KËRKESAT E OPOZITËS

Kryeparlamentari Ilir Meta konsideron se kërkesat e opozitës për t’i dhënë fund bojkotit parlamentar janë plotësuar dhe tashmë i takon PD-së dhe aleatëve të saj për të vendosur lidhur me rikthimin e tyre në Kuvend. Në përfundim të takimit me eurodeputetin Eduard Kukan, kreu i Kuvendit tha se shpreson që opozita të hyjë në Kuvend përpara Krishtlindjeve.

“Janë plotësuar të gjitha kërkesat kryesore të opozitës. Çdo kërkesë e cila synon një funksionim më demokratik, më transparent të kuvendit ka qenë e mirëpritur dhe ne jemi të vendosur për transparencë dhe gjithëpërfshirje.

Nuk mund të marr përsipër të flas në emër të opozitës, megjithatë opozita është e mirëpritur për të vendosur rolin e saj në parlament dhe unë shpresoj që kjo të ndodhtë përpara Krishtlindjeve”- deklaroi Meta.

I pyetur nëse deputetët opozitarë rrezikojnë djegien e mandateve në rast të mosparaqitje së tyre në seancën e fundit të këtij viti, Meta u përgjigj: “Nuk është momenti të flasim për djegie mandatesh. Duhet të ndajmë politikën nga fryma e bojkotit”.

BASHA MBLEDH GRUPIN E PD

Takimet e Kukan janë mbyllur përpara orës 14:00 të kësaj dite, kur kryetari i demokratëve Lulzim Basha mësohet të ketë thirrur mbledhjen e grupit parlamentar në selinë e Partisë Demokratike. Burime brenda grupit kuvendor demokrat bëjnë me dije se PD është shumë afër vendimit për hyrjen në Kuvend në seancën e ditës së mërkurë, por vendimin pritet ta zyrtarizojë pikërisht kryetari Lulzim Basha në mbledhjen me deputetët.

Marrëveshja e pritshme, Flenkeshtein–Kukan do të përmbajë dy pika, bashkëpunim në dobi të integrimit të vendit dhe detyrimin për hartimin e një drafti për dekriminalizimin, ndërsa pika e fundit pritet të përcaktohet nëse parandalimi i personave me precedentë kriminalë të përshijë vetëm kandidatët për parlamentin e 2017-s, apo edhe të zgjedhurit e tjerë dhe nëpunësit e administratës publike.

SEANCA E KUVENDIT

Seanca e së mërkurës ku pritet prania e opozitës në sallë, mbyll edhe këtë sesion parlamentar për të rinisur javën e tretë të janarit të 2015. Pas kthimit në Gjermani, eurodeputeti Knut Fleckenstein shkroi në “Facebook” se kolegu i tij Eduard Kukan do t’i përmbyllë me sukses bisedimet. Marrëveshja midis palëve, me garancinë e ndërkombëtarëve për zbatim angazhon palët në procesin e integrimit dhe hartimin e një drafti për dekriminalizimin e parlamentit. I pari që mbërriti në Tiranë javën e kaluar ishte eurodeputeti Knut Fleckenstein, i cili u takua me kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta dhe kreu e PD-së, Lulzim Basha. Reporteri Fleckenstein u shpreh optimist për zgjidhjen e krizës politike dhe kthimin e opozitës në datën 24 dhjetor në Kuvend.

SONDAZH

[yop_poll id=”4″]

(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb