Nga MATILDA TOTA*

KUKËS – Shkolla 9-vjeçare “Lidhja e Prizrenit” në qytetin e Kukësit ka rënë pre e grabitësve. Burime zyrtare të policisë thanë se grabitësit kanë thyer derën kryesore të shkollës dhe më pas kanë depërtuar në ambientet e brendshme të saj duke grabitur prej andej disa regjistra dhe kompjuterët e kabinetit të informatikës. Mësohet se grabitësit kanë thyer edhe derën e zyrës së drejtorisë duke dëmtuar bazën materiale që ndodhej aty.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes dhe është mësuar mëngjesin e sotshëm, kur stafi pedagogjik dhe nxënësit janë paraqitur në shkollë. Në çastin që është konstatuar vjedhja, është lajmëruar mënjëherë policia dhe procesi mësimor është ndërprerë për më shumë se një orë. Ndërsa drejtorja e këtij insitucioni Lulzime Shehu është munduar që të fshehë ngjarjen për mediat madje ka pohuar më pas se janë grabitur vetëm dy laptopë, të cilët nuk ishin në funksion.

Burime të tjera, madje edhe vetë nxënësit thanë se janë vjedhur disa kompjutera dhe disa regjistra janë dëmtuar apo vjedhur. Menjëherë pas ngjarjes reagoi drejtorja e komanduar e DAR në Kukës Farie Zeneli e cila pohoi ngjarjen dhe tha se siguria në shkollat e Kukësit ëhstë një problem evident dhe duhen marrë masa të menjëhershme nga bashkia.

“Është e vërtetë që shkolla është thyer. Kemi lajmëruar policinë. Pritet që llogaritet dëmi, por paraprakisht dimë që janë vjedhur kompjuterat e informatikës. Është një ngjajrje e rëndë. Ne nuk kemi asnjë mundësi të punësojmë roje objektesh shkollore apo kopshtesh”.

Brenda pak javësh në Kukës janë vjedhur edhe godinat e kopshtit. Madje shkolla “Lidhja e Prizrenit” i kishte shpëtuar grabitjes pasi thuajse në të gjitha shkollat e qytetit kabinetet e informatikës janë vjedhur dhe që të gjitha kanë mbetur pa autor dhe asnjë përgjegjës. Shkolla “Lidhja e Prizrenit” ndodhet në qendër të qytetit të Kukësit.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb