Nga: JETON SELIMI *

 

Humbja e fundit e Vllaznisë në “Loro Bori-çi” kundër Kukësit ka marrë vëmendjen edhe të Këshillit Bashkiak të Shkodrës, në të cilin anëtari i tij, Eugen Vaso ka akuzuar për trukim të ndeshjes, duke shkuar madje deri te detaji si pagesa 100 mijë euro për katër fitoret në këtë kampionat të kuksianëve ndaj kuqebluve. Por ndërsa këto akuza nuk kanë marrë ende një reagim zyrtar të klubit Vllaznia, i menjëhershëm ka qenë ai nga kampi kuksian, që nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka konsideruar “akuzat e këshilltarit të Bashkisë Shkodër si të pabaza, të shëmtuara dhe që synojnë përbaltjen e imazhit të Kukësit”. Në kundërpërgjigjen e tij klubi kuksian thekson se Vllaznia si djepi i futbollit shqiptar nuk shitet dhe nuk blihet me euro dhe se duartrokitjet në fundin e takimit mbysin çdo zë dashakeqës për të dy ekipet. “Ne si klub i konsiderojmë këto deklarata dashakeqëse dhe të pabaza, që synojnë përbaltjen e imazhit të Kukësit, krijuar me mund dhe djersë si askush klub tjetër në Shqipëri. Halucinacionet e një këshilltari meritojnë përbuzjen në radhë të parë nga vetë klubi të Vllaznisë, lojtarëve dhe stafi. ‘Djepi i futbollit shqiptar’ nuk shitet dhe nuk blihet me euro. Ne jemi krenuar me Vllazninë e dikurshme dhe me historinë e saj, ashtu siç krenohen shkodranët dhe mbarë shqiptarët me Kukësin e sotëm. Duartrokitjet e tifozërisë shkodrane në fund të takimit mbysin çdo zë dashakeqës për të dyja ekipet. Në do të bëjmë padi penale ndaj këshilltarit në fjalë në bazë të Kodit Civil dhe do kërkojmë dëmshpërblim për prishje imazhi dhe shpifje. Ndërkohë nuk do merremi shumë me të tillë tipa, pasi kemi punë përpara deri në marrjen e titullit. Nga ana tjetër sigurojmë të gjithë dashamirësit tanë në Kukës, Shkodër e kudo se Kukësi do ecë përpara vetëm me ndershmëri e korrektësi. Këtë korrektësi ia provojmë sërish opinionit sportiv dhe zotërisë në fjalë në ndeshjen e pas një jave për Kupën e Shqipërisë në Shkodër dhe e ftojmë ta shikojë takimin pa paragjykime dhe hamendësime. Në jemi krenarë për punën tonë dhe të hapur ndaj çdo personi e institucioni për të provuar ndershmërinë tonë dhe lojën korrekte”.
Vllaznia
Edhe skuadra shkodrane ka reaguar pas akuzave të Eugent Vasos për trukim të ndeshjes me Kukësin, madje Vaso ka shkuar deri atje sa ka akuzuar se të gjitha ndeshjet ndërmjet dy ekipeve të këtij sezoni kanë qenë dhe do jenë të kurdisura. “Vllaznia i kërkon prokurorisë të hetojë deklaratat e bëra në Këshillin Bashkiak, ndërsa kërkon që të gjitha ndeshjet e luajtura dhe ato që do të luhen të jenë në hetim të prokurorisë. Këtë gjë e bëjmë në kuadër të konsolidimit të ekipit”, lexohet ndër të tjera në deklaratën e kuqebluve.

 

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: