Kukësi i përgjigjet Skënderbeut dhe mbërthen korçarët në krye të tabelës, me verilindorët dhe bardhekuqtë që kanë 6 pikë të plota pas 2 takimesh. Skuadra e Shpëtim Duros e bën këtë në mënyrën më të mirë, duke triumfuar në Vlorë përballë Flamurtarit me një rezultat të thellë 3-0, por mbi të gjitha duke dominuar gjerë e gjatë në fushë ndaj kuqezinjve, që nuk mundën të bënin asgjë përballë nënkampionëve.


Takimi nis menjëhërë me diktatin e miqve, që kalojnë në avantazh në minutën e 24-ët, falë golit të Vasil Shkurtajt, i cili shfrytëzon më së miri pasigurinë në mbrojtjen vlonjate dhe thyen Moçkën. Sërish shkurtaj, vlonjati që përballë Flamurtarit tregohet i pamëshirshëm dhe në minutën e 63-të realizon pas asistimit të Maliqit. Flamurtari përpiqet të tregojë se është në fushë me ndonjë shkëndijë të Ardit Hoxhajt, por kuqeznjtë shfaqin të gjitha limitet e një ekipi që nuk ka kryer fazë përgatitore dhe se është formuar vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit, çka i hap jo pak punë trajnerit Sadedini.


Si për ta vërtetuar këtë shërben autgoli i Olsi Gocajt. Shkodrani devijon në portën e tij harkimin e Kristal Abazajt, që debutoi me fanelën e Kukësit në minutën e 65-të, duke marrë vendin e Gavazajt. Më pas ndeshja nuk ka më histori. Kukësi siguron tre pikët e radhës dhe bëhet gati të presë Laçin në fundjavë, ndërsa Flamurtari vijon me sfidat në kalendar, teksa udhëton në Tiranë ku e pret Partizani.


(Balkanweb)