Nga: Jeton Selimi

Partizani shënon katër herë në pjesën e dytë dhe arrin të përmbysë epërsinë e përkohshme të Elbasanit, të vulosur nga një eurogol i Enco Malindit. Të kuqtë e kanë nisur ndeshjen disi të lodhur nga derbi i së premtes, por në minutën e 27-të janë tronditur kur kanë parë ‘predhën’ e ish-lojtarit të Partizanit, Enco Malindit, që të shkojë në trekëndëshin e Alban Hoxhës, i cili nuk mund të bëjë asgjë për të shmangur golin. Partizani nuk arrin të kthjellohet, madje bëhet dhe nervoz, ndërsa ndërhyrjet e ashpra të verdhebluve kthehen edhe në debate në fushë mes lojtarëve. Duro kërkon nga të tijtë më shumë qetësi, por diçka e tillë nuk do të ndodhë, ndërsa ekipet do largohen për në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-1. Hijet e pasderbit të nëntorit duket se pushtojnë “Qemal Stafën”, por tifozët mbështesin fuqishëm ekipin sapo shkel në tapet dhe Partizanit duket se i ka bërë mirë pushimi i ndeshjes. Të kuqtë janë me marshin e pestë, ndërsa Duro ka larguar Fazliun e dëmtuar për veteranin Bylykbashi, që së bashku me Nexhipin marrin kontrollin e mesfushës. Pikërisht elbasanasi do të hedhë një top në zonë dhe, në rrëmujë e sipër, Vila do të godasë saktë duke shënuar golin e barazimit. Por Partizani nuk ka ndër mend të ndalet. Një harkim nga e djathta që nuk largohet nga një mbrojtës verdheblu, shkon te Stevan Raçiç me serbin që nuk fal. 2-1 dhe duket se Partizani do të fillojë të bëjë atë lojën e tij të zakonshme ku administron rezultatin. Por jo, kësaj here Duro kërkon gola dhe në minutën e 78-të është sërish Raçiç që shpërthen bukur në zonë dhe gjuan fort e saktë në diagonale. Serbi shënon dygolëshin e tij të parë në këtë sezon, Partizani për herë të parë shënon tre gola. Por do të ketë lavdi dhe për Rrahmanin. Mbrojtësi gjuan saktë me kokë duke e çuar topin në shtyllën e largët të Myftaragos, çka shënon dhe golin e fundit të takimit. Me këtë fitore, Partizani ruan hapin e Skënderbeut kryesues, por arrin të shkëputet me 2 pikë nga Tirana.
Kukësi
Kukësi rikthehet te fitorja. Skuadra e drejtuar nga Artim Shaqiri ka arritur të mposhtë Flamurtarin në “Zeqir Ymeri” me rezultatin 4-0, gola që erdhën në pjesën e dytë. Është Dushku ai që zhbllokon rezultatin në minutën e 49-të pas një goditjeje nga këndi. Lezhjani kërcen mbi të gjithë dhe arrin ta dërgoje topin drejt rrjetës, duke kaluar ekipin e tij në epërsi. Vetëm 2 minuta më vonë do të vinte edhe goli i dytë, me Pejiçin që del para mbrojtësit dhe godet me kokë duke dyfishuar shifrat. Në minutën e 71-të bëhet sërish protagonist Pero Pejiç. Kroati merr përsipër të realizojë një goditje dënimi dhe gjuajtja e tij është perfekte, duke mposhtur për të tretën herë Ilion Likën. Në minutën e 77-të erdhi edhe goli i katërt me protagonist Vilfor Hysën. Edhe pse shtatshkurtër, Hysa shfrytëzon më së miri një top të gjatë të ardhur nga mesi i fushës dhe godet me kokë, duke mposhtur sërish portierin e vlonjatëve. Me fitoren e arritur, Kukësi ngjitet në kuotën e 55 pikëve, duke ndjekur Skënderbeun, që ka vetëm 2 pikë më shumë në renditje.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb