Kukësi nuk e fitoi dot Superkupën e Shqipërisë dhe kjo nervozoi mjaft drejtuesit e klubit, por edhe vetë trajnerin Shpëtim Duro, për të cilin ishte debutim në stolin e verilindorëve.

partizani kukesi

Katër gola të pësuar, problemet në menaxhimin e rezultatit, gafat në mbrojtje dhe mbi të gjitha shthurja në kohën shtesë kanë krijuar idenë se Kukësi nuk është gati për të konkurruar Partizanin. Trajneri Duro shpeshherë para takimit të së dielës pohoi se ekipi vuan për 2-3 lojtarë, të cilët do të duhen patjetër për të kompletuar ekipin. Tashmë dy prej këtyre afrimeve kanë ardhur, pikërisht qendërmbrojtësi Erhun Obanor, i cili pritet të debutojë të premten për kampionat ndaj Partizanit, si dhe mbrojtësi i majtë, Blerim Kotobelli, që luajti nga minuta e parë në Superkupë.

Por, pas konfirmimit të largimit të Valdet Ramës, Kukësit i nevojitet me çdo kusht një sulmues krahu me karakteristikat e kosovarit. Kristal Abazaj është opsion i parë, ku palët janë në bisedime, por kërkesat mjaft të larta ekonomike të futbollistit stepin paksa presidentin Safet Gjici. Ky i fundit duket se deri në muajin janar do të testojë ekipin, pra nëse është apo jo për kampion me këtë grup lojtarësh, e më pas, nëse do të duhet, mund të bëjë edhe “çmendurira” duke afruar emra “big” që bëjnë diferencën. Te Kukësi duket se kanë krijuar një bindje që pavarësisht se sulmi ka emra si Vasil Shkurtaj, Mirlind Daku dhe Markovanbasten Çema, sërish duhen lojtarë me cilësitë e Ramës, që mund ta nxjerrin në çdo moment golin dhe ta nderojnë ekipin.

NEGOCIATA ME ITALO-GANEZIN

Drejtuesit, me në krye Nderim Nexhipin, kanë hyrë në garë fuqishëm për të afruar një sulmues që të bëjë diferencën. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se futbollisti ganez i lindur në Itali, Emanuel Gyasi, po bisedon me Kukësin.

Ai është pjesë e klubit të Serisë B italiane, Specia, ku në sezonin e fundit ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve dhe ka arritur të shënojë tre gola. Mësohet se drejtori Nexhipi nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tij, ka kërkuar që ta huazojë për një sezon sulmuesin e krahut, i cili mund të luajë edhe në të majtë, edhe në të djathtë. 25-vjeçari shikohet si një zgjidhje mjaft e mirë për sulmin, pasi ai ka eksperiencën e duhur për të dhënë kontributin e tij te Kukësi. Ai ka luajtur për plot 32 takime në Serinë B me Specian, 22 nga të cilat si titullar.

Gyasi më parë ka qenë pjesë e klubeve italiane, si Piza, Mantova, Pistoieze dhe Sudtirol. Nuk dihet nëse palët do të arrijnë dot marrëveshjen, por te Kukësi janë të përgatitur për çdo variant, duke parë edhe vështirësinë e negociatave, pasi Gyasi është nën kontratë me Specian. Nëse nuk do arrihet marrëveshja, verilindorët do të afrojnë një sulmues tjetër. Ka edhe alternativa që po ndiqen në Kroaci dhe Maqedoni, por që natyrisht parësore për drejtuesit janë Kristal Abazaj dhe Emanuel Gyasi. Gjithçka mund të ndodhë, teksa kjo javë pritet të jetë vendimtare. Humbja në Superkupë ka shtuar edhe më tepër bindjen në klub se duhen përforcime, jo vetëm në sulm, por edhe në repartin e mbrojtjes./Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: