Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka, ka folur në vigjilje të ndeshjes me Partizanin për objektivat e ekipit të tij, ku thekson se pavarësisht arritjes në finalen e Kupës së Shqipërisë, Kukësi duhet të sigurojë vendin e dytë. Gjithashtu, ai shpreh keqardhje për situatën e Tiranës, por gjithsesi mbetet i fokusuar te skuadra e tij.


Partizanit


“Ndeshje shumë e fortë, ndaj kampionëve të rinj të cilët i respektojmë. Vendi i dytë nuk është i sigurt tashmë, ndaj ndeshja e nesërme merr kuptim tjetër dhe do duhet sforcim i madh. Shameti do të mungojë, Maliqi po ashtu. Rroca do mungojë për dëmtim, Shkurtaj jemi munduar ta përgatitim dhe të shohim, Valdet Rama është kthyer”.


Hallaçi

“E dinë të gjithë kush është Hallaçi, karriera e tij flet vetë. Unë mendoj se për të do ishte mirë të punonte me ekipet e moshave dhe e ka nisur që tani punën. Për 3-4 vite mendoj se do jetë gati për të drejtuar ekipe të para. Presidenti i rekomandoi një kontratë 2-vjeçare me Kukësin B. Hallaçi ka refuzuar dhe aty ka pasur një mosmarrëveshje që ka çuar në largimin e tij. Ky është informacioni që kam, nuk di më shumë”.

Kupa

“Vendi i dytë dhe Kupa janë synimet që kemi dhe trajneri varet nga rezultatet. Kemi bërë shumë ndryshime, edhe pse dëmtimet kanë qenë pa fund. Duhet patjetër një trofe, për investimet e këtij klubi. Më pas do shihet e ardhmja”.

Kupat e Europës dhe merkato

“Më 11 korrik luhet ndeshja e parë, faza përgatitore do nisë me 15 qershor dhe në 25 qershor ekipi do shkojë në Ohër. Rreth merkatos kam biseduar me presidentin dhe drejtorin Nexhipi. Na duhen përforcime në mbrojtje, ku kemi pasur shumë probleme me dëmtimet. Në repartet e tjera do ruhet boshti. Nuk dua që të ndryshoj shumë lojtarë, por natyrisht jo gjithçka varet nga trajneri. Ka edhe lojtarë që duan të largohen vetë ndonjëherë, por synimi im është të bëjmë sa më pak ndryshime”.

Tirana

“Nuk dua sukses mbi fatkeqësinë e tjetrit. Me vjen keq për Tiranën, por më duhet te mendoj vetëm për Kukësin. Dhuratë nga Kukësi në fund për Tiranën? Ne duam së pari të fitojmë nesër, nuk e mendojmë ndeshjen kundër Kastriotit. Ka kohë deri atëherë”.