Kukësi mori një fitore me mjaft vlerë fundjavën që lamë pas në Fier përballë Apolonisë, por që nuk e ka lënë pa pasoja kampin blu. Thuhet kështu, sepse verilindorët do të vuajnë mungesën e disa lojtarëve në sfidën e radhës, atë me Flamurtarin në transfertë.

Mes lojtarëve që duhet të tregonin kujdes për të mos u ndëshkuar ishin edhe Redon Danaj, Kevi Mejdani dhe Klevis Hilaj, të cilët do të jenë mungesa të sigurta për ekipin e drejtuar nga Emiljano Çela. Bëhet fjalë për titullarë të kësaj skuadre, në një grup të cunguar të bluve që i prishin jo pak punë përballë një kundërshtari që këtë sezon synon elitën. Dihet që Kukësi e ka pak të limituar përbërjen e lojtarëve për shkak të nisjes vonë të përgatitjeve dhe kur në një ndeshje vetëm tre futbollistë të mungojnë për arsye kartonësh nuk është pak.

Nga ana tjetër, mbetet për t’u parë nëse mbrojtësi Franci Lala do të rikuperohet nga dëmtimi ose jo, i cili nuk ka luajtur në dy takimet e fundit. Gjithsesi, duke ditur se përballë kanë Flamurtarin që ka bërë shumë investime dhe për më tepër është një ndeshje transferte, në Kukës shkojnë pa asnjë presion mbi supe. Ndeshja e parë në Kukës është mbyllur me fitoren minimale të vlonjatëve në shifrat 2 me 1, duke treguar në njëfarë mënyre se përpos diferencave në kualitete, Kukësi mund t’i bëjë ballë. Ndeshja do të luhet ditën e diel, duke nisur nga ora 13:30 në stadiumin Flamurtari.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb