Kukësi do ta nisë pjesën e dytë të kampionatit me një ndeshje delikate përballë një rivali direkt si Pogradeci. Drejtuesit e bluve e kanë shprehur hapur ambicien, që në pjesën e mbetur të sezonit të tentojnë të futen në gjashtëshen e parë dhe të mos e vënë aspak në diskutim mbijetesën.
Për këtë arsye, kjo ndeshje e startit të këtij viti shihet si shumë e rëndësishme për ecurinë në vazhdim të verilindorëve, edhe pse kampionati është ende shumë i gjatë. Me pak fjalë, trajneri i ri, Alfred Allamani do ta nisë menjëherë “zjarr” aventurën e tij me Kukësin, në një test të vërtetë force për të parë se deri ku mund të shkojnë kuksianët në këtë sezon. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar që skuadra ka pësuar disa ndryshime këtë fillim viti. Largimet e Beshirajt, Hasajt dhe Lalës e kanë dobësuar jo pak skuadrën, pasi bëhej fjalë për tre prej lojtarëve më cilësorë të Kukësit.
Edhe pse drejtuesit kanë bërë tri afrime deri më tani, mbetet për t’u parë sesa do të jenë në gjendje t’i zëvendësojnë sa duhen të ikurit, të cilët kanë mbajtur peshën më të madhe të skuadrës deri më tani në Kategorinë e Parë. Sa i përket merkatos, drejtuesit po punojnë me ekipe të ndryshme të Superiores për të marrë në huazim lojtarë që shihen si të vlefshëm nga ana e trajnerit Allamani. Deri në mbylljen e merkatos priten afrime të tjera, edhe pse në Kukës duan t’i mbyllin sa më parë të jetë e mundur.